Treg

Të moshuarit pa arsim të lartë ende punojnë pas pensionit

Më shumë se 278 mijë shqiptarë punojnë pa rrogë në bizneset familjare

INSTAT ka raportuar sot të dhënat e 2019-s për tregun e punës.

Ajo që vihet re në shifrat e raportuara është se shqiptarët punojnë edhe pas daljes në pension. 47,8 % e totalit të të punësuarve në vend që punojnë part-time janë mbi 65 vjeç dhe 52% e tyre janë me arsim 8/9 vjeçar.

Përqindja e të punësuarve me kohë të pjesshme të personave mbi 65 vjeç ka rënë gjatë 2019-s krahasuar me vitin pararendës me 1,9%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se nuk ka asnjë person, qoftë të gjinisë mashkullore apo të asaj femërore me arsim të lartë që të punojë me kohë të pjesshme pas moshës 65 vjeç. Ndërsa mes grupmoshës 55-64 vjeç ndër personat me arsim të lartë, 8,9 % janë të punësuar me kohë të pjesshme.

Po ashtu më shumë se 278 mijë shqiptarë punojnë pa pagë në bizneset familjare 22%, nga 21.5% një vit më parë.

Kategoria e të punësuarve pa pagë zë një peshë mjaft të lartë në tregun e punës. Po t’i shtojmë kësaj shifre edhe rreth 409 mijë të vetëpunësuar pa pagë në aktivitetet e tyre private, në total janë rreth 687 mijë shqiptarë ose rreth 54.3% e gjithë numrit të të punësuarave që hyjnë në kategorinë e ashtuquajtur “punësim i brishtë”, pasi ose nuk sigurojnë të ardhura në rastin e të punësuarve pa pagesë në familje, ose bartin më shumë risqe për punësimin afatgjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë