Lajme

“Të mirësjellshmit”, jazz për fëmijë në Metropol

Sabina Veizaj - Jazz, Blues, Swing, gotë vere, fëmijë.

Nëse do t’ju pyesja se cila fjalë është jashtë kontekstit në këtë grup fjalësh, me siguri do të më thoshit “fëmijë”. Sepse muzika Jazz, Swing dhe Blues nuk do të kuptohej pa një atmosferë të thellë poetike, melankolike dhe pa një gotë verë përpara.
Ashtu do të përgjigjesha edhe unë përpara se të ndiqja “Të mirësjellshmit” në Teatrin Metropol.

Dhe përgjigjja e pyetjes është gota e verës.
Sepse Jazzi, Blues-i dhe Swingu mund të dëgjohen fare mirë pa një gotë vere përpara dhe mund të argëtohesh pa fund.

“Të mirësjellshmit” është shfaqja e parë për fëmijë me muzikë Jazz, Blues dhe Swing në Shqipëri, e cila prej më shumë se një muaj jepet ne teatrin Metropol në Tiranë dhe do të jetë në repertor deri në fund të këtij sezoni.

https://www.youtube.com/watch?v=2XTm6FYVtyc&feature=youtu.be

Idea dhe titulli i shfaqes kanë qenë të drejtoreshës Jonida Beqo e cila e mbante në sirtarin e dëshirave të saj profesionale prej më shumë se një vit. Kjo sipërmarrje iu besua për ta realizuar regjisores Elona Hyseni, e cila në këtë spektakël fëmijësh është edhe tekstshkruese.

Thonë se jam i veçantë/sekretin duan ta dinë/Lexoj, librat i kam xhan/Tek ç'do fjalë gjeta magjinë./Këdo që shoh i buzëqesh/U fal gëzimin për mëngjes/I dua fjalët prej sheqeri/MË FAL…T'LUTEM….FALEMINDERIT!/Në shkollë, në shtëpi,/kudo që unë shkoj./Të sillem mirë,/unë kurrë nuk haroj/Eja me mua të jemi special/me Fjalët Magjike,/të bëjmë një GARë…/ Më faaal…të ndihmoj?/Të lutem, jam për ty…çfarë ke nevojë?/dhe i vogël, unë ia dal…buzeqeshjen të ta fal./_A u looodhe?Ja dhe pak ia dalim bashkë…/Mos ki frikë…Faleminderit për fjalën e mirë!/Sa bukur që tingëllon/"sjellja të zbukuron" Ju nuk e dini PËRSE…/Mirësjellja bëhet Atdhe/Fjala e ka një adresë, me zemër unë përshendes e nëse ndodh që unë të shkoj/DITË T'MBAR…MIK…TË PËRQAFOJ!/

Me këtë këngë ka nisur spektakli për fëmijë “Të mirësjellshmit” që sëbashku me Elonën është gatuar edhe nga “All in Band”, Amri Hasanlliu dhe koreograf Erdet Miraka.

“Është e vështirë të shkruash për fëmijët. Sepse me një fjalor modest duhet të shprehësh gjëra të mëdha, kuptimplotë që të kenë impakt reflektues tek fëmijët sepse ata janë të vegjël, por kuptojnë shumë”- më thotë regjisorja Elona pas shfaqjes.
Teatri Metropol prej tre vjetësh zhvillon një modul/program “Edukimi me teatër” në bashkëpunim me disa shkolla të 9-vjeçare të kryeqytetit. Programi bazohet në shtatë shtylla të rëndësishme të formimit të fëmijëve: karakter, komunikim, kreativitet, bashkëpunim, respekt, mendim kritik, qytetari dhe traditë.

Përmes leksioneve punohet mbi pjesë që rezonojnë problematika që fëmijët i hasin në përditshmërinë e tyre.

Elona dhe Metropol e shohin teatrin si një mjet që ka një fuqi të nxitjes së imagjinatës dhe të mendimit krijues për fëmijët në këtë rast sepse i përgatit si qytetarë të ardhshëm.
Në këtë logjikë edhe shfaqja “Të mirësjellshmit” ofron mundësi, që nëpërmjet situatave edhe përvojave në lëkurën e tjetrit apo, duke e bërë një situatë të caktuar që fëmijët të edukohen dhe përgatiten për situata aktualë apo të mëvonshme përmes spektaklit dhe lojërave.

Tematikat e përzgjedhura për këtë spektakël që nisi duke menduar grupmoshën 6 vjeç plus, por që rezultoi i suksesshëm si për më të vegjlit, ashtu edhe për prindërit e tyre, të cilët nuk hezituan t’u përgjigjeshin dëshirës së fëmijëve për tiu rithyer Metropolit me “Të mirësjellshmit” për të dytën a të tretën herë, ishin që nga xhelozia për motrën, frika nga fantazmat, dhurata për ditëlindjen e mamit, etj.

https://www.youtube.com/watch?v=nGzU-3c0H4I&feature=youtu.be

Në gati një orë spektakël me muzikë Jazz, Blues, Swing, tekste tematike, balet, skuadra e Metropol dhe regjisorja Elona Hyseni e sollën shfaqjen në një formë loje me ngjyra ku të përfshinin edhe fëmijët, të cilët të mos ishin thjesht dhe vetëm spektatorë.

https://www.youtube.com/watch?v=UF37rD0t6LE&feature=youtu.be

“Realiteti në të cilin jemi, kam kuptuar çfarë pëlqejnë fëmijët. Tëatri ka një mision dhe kjo shfaqje ka një mision; se si të evidentojmë gjërat e rëndësishme që kanë vlerë. Ne nuk themi në teatër; bëj këtë, bëj atë, se nuk mundemi. Por gjejmë formën që ti qasemi fëmijës për të kuptuar. Nëse në shfaqje të tjera prindërit i sjellin fëmijët dhe shkojnë në kafe, në këtë shfaqje janë kënaqur prindërit dhe fëmijët sëbashku”, më thotë Elona e kënaqur për suksesin e shfaqjes duke nënvizuar se “është gjetur kyçi që ndez gëzimin tek të dy palët.”

https://www.youtube.com/watch?v=tqUjV4EXX3g&feature=youtu.be


Gabimi që bëhet më thotë Elona gjatë bisedës, “është që kur përpiqesh të vendosësh veten në lëkurën e fëmijës, sjellë ndërmend veten kur ke qenë fëmijë. Por kjo është e gabuar. Sepse kohët kanë ndryshuar. Fëmijët janë shumë të informuarpërmes internetit, TV. Por problem është shpesh përballen me gjëra jo cilësore. Prandaj menduam për një shfaqje të shëndetshme.”

Pyetja që Elona ngriti në krye të herës ishte; “cilat tematika dhe në cilën formë do të ishte më e duhura për ti lumturuar fëmijët dhe të kalonin një orë ndryshe cilësore duke u argëtuar?”

“Tematika dhe problematikat që i dëgjon shpesh përmes prindërve “Fjalët magjike” ne japim shembuj. Performancë, këngë. Balerinët nuk krijojnë modelin e një fëmije të përkëdhelur, por një fëmije i cili përdor këto fjalë magjike. Ndodh kimia mes tekstit, muzikës dhe baletit që bën të ndërveprojnë edhe fëmijët. Me fjalët magjike ti bën një garë ku përfshin fëmijët e publikut. Amri i cili është këngëtari dhe moderator i shaqjes krijon lojëra që thërret në skenë fëmijët”, më tregon Elona.

Xha Petri është një këngë tjetër e repertorit të “Të mirësjellshmit” ose “Piter Pani me thinja” që evokon një të moshuar vetmitar i cili mbush xhepat me karamele për fëmijët e lagjes, të cilët e ndihmojnë ti mbajnë trastat me ushqime deri në shtëpinë e tij.

Jeton në lagjje bashkë me ne,/me flokë të bardha borë e re…/zbret shkallët ngadalë dhe me hap…/i vjetër por jo plak./Zhurma jonë e shqetëson,/gabimet ai na i qorton…/dhe topin na e merr/na e jep prapë/është shumë gallatë …/Kur shkon të bëj pazar në treg../çantat ne ia mbajmë përherë/merr qumësht,bukë,bizele/në xhepa karamele…/Shokun tonë të moçëm,/e quajnë xhaxha Petri,/Është fantastik edhe fisnik/zemra na gëzon./Luan me ne…/ai ne shumë na ka xhan,/thinja ka në kokë,/xha Petri në shpirt është Piter Pan…/Këshilla na jep…/Kujton kohën kur ishte fëmijë…/dhe pse vitet shumë i rëndojnë,/ai në shpirt mbetet i Ri./Tregon ai histori/kur ishte veç një djalë i ri,/Partizan kish qenë në mal/dhe ia kishte dalë…/Këndon popullore,/kërcejmë ne dorë për dorë /nëse kuptojmë/na duket lojë/xha Petri fitoi…./Xha Petri kishte shumë fëmijë/ por vetëm tani është ai/familje e re për të do jemi ne…/Kohët kanë ndryshuar,/Është shumë i talentuar/Është shumë gallatë/salsa kërcen/bën edhe Tip-Tap….

Elona më tregon se shfaqja ka pasur shumë sukses deri tani. Shfajen e kanë parë edhe çifte të huaj me fëmijët.

Kur unë shkova për at parë ditën e shtunë shfaqen, pashë një atmosferë që nuk e kisha vërejtur ndonjëherë në shfaqjet klasike, të zakonshme që jemi mësuar të prodhojmë; ku protagonistët dhe publiku janë të ndarë me thikë.

Fëmijët ishin shumë të lirshëm të jepnin mendimet e tyre, të këndonin e të kërcenin në skenë. Ata ishin bashkëprotagonistë të shfaqjes. Tek i pyesja fëmijët që ishin ulur aty pranë meje më thoshin se po kënaqeshin shumë. Por në fakt edhe prindërit nuk mbeteshin mbrapa.

Elona më thotë se shfaqja do të ketë repriza edhe sezonin tjetër, por ajo që produksioni i Metropolit dhe ajo vetë dëshiron është që këngët e “Të mirësjellshmit” të jenë në një CD që fëmijët t'i dëgjojnë gjatë udhëtimeve apo edhe në festa të ndryshme, që të mos dëgjojnë këngë të rriturish.


Gjithashtu më thotë Elona, një dëshirë tjetër është që secila këngë të ketë nga një klip.
“Për të ëndërruar nuk paguajmë taksa”, më thotë duke qeshur.

Sëbashku me produksionin e Metropolit, Elona më tregon se po mendojnë një episode të dytë të një shfaqje të ngjashme, por që këtë herë të vijë si Musical i vërtetë.
Ajo i ka që tashmë tematikat në kokë; “Edhe babi e meriton një këngë që të mos bëhet xheloz. Dua të trajtoj raportin me ndarjen nga jeta”, më tregon ajo.

Elona…

Elona Hyseni

Elona është një regjisore e re në moshë, por me shumë eksperiencë sidomos me fëmijët.
Tekstin e parë ajo e ka shkruar në 2007-ën duke bashkëpunuar me kompozitorin Klodian Qafoku për festivalin e fëmijëve në Shkodër. Kënga “Do të bëhem superstar” e kënduar në atë kohë nga Enxhi Nasufi do të merrte çmimin e parë.

“Unë jepja mësim për herë të parë tek “Siera Film”. Njeriu ka disa aftësi të fshehura që herë i zbulon vetë, herë duhet të vijë dikush tia zbulojë. Një ditë fillova të shkruaja për një shfaqje për fëmijë. Leonard Bombaj më tha se shkruan bukur dhe më këshilloi të shkruaja tekste këngësh. Enxhi Nasufi një gocë shumë e talentuar donte të konkuronte në festivalin e Shkodrës me kompozim të Klodian Qafokut. Unë shkrova tekstin e “Do të bëhem super star” Mbaj mend që kam qenë në turne me “Siera Film” me fëmijët në Pogradec dhe RTSH jepte koncertin e fëmijëve. Ka qenë rastësia më e bukur. Teksti im i parë merrte çmim të parë; Çmim të parë merr Enxhi Nasufi me “Do të bëhem Super Star.” – dëgjohej nga ekrani.”- më rrëfen Elona duke vazhduar mandej “Nuk di çfarë magjie ka Oscar, por më duhet se e njoh. Kam bërtitur shumë në atë moment.”

Ky ishte pikëtakimi i parë me tekstet për fëmijë i Elonës që kulmoi me “Të Mirësjellshmit”që përpos një shfaqje argëtuese, vjen si mision për një edukim ndryshe të fëmijëve.

Mandej gjatë bisedës për fillimet e saj ajo më rrëfen: “Më e bukura ka qenë një ditë kur shkoj në qytetin tim të lindjes Fier, një shoqja ime mësuese kërcimi organizon në shkollë një spektakël, më fton në një nga shfaqjet e saj. Kishte bërë performancë me nxënësit me këngën “Dua të bëhem superstar”. Ajo nuk e dinte që tekstin e këngës e kisha shkruar unë. Mësova që e kishin këngën edhe në programin mësimor.”

Pas atij episodi ogurbardhë Elona ka përvijuar rrugën e tekstshkrimit duke bashkëpunuar me kompozitorë të njohur shqiptar si: Klodian Qafokun, Pirro Çakon, Adi hilën, me të ndjerin Dorian Nini, Gent Myftarajin, Edmond Zhulalin, etj. Ajo ka marrë pjesë si tekstshkruese në “Kënga Magjike”, “Top Fest”.

Elona ka qenë pjesë e projektit të “Siera Film” dhe Bashkisë Tiranë për Public Speech & Stand up comedy. Ajo ka qenë në këtë projekt regjisore, skenariste dhe trajnere e gjimnazistëve ku 10 finalistët kanë bërë performancë në Metropol.

“Adoleshentët janë të paragjykuar si dembelë, që rrinë tërë kohën në internet. Por unë ju konfirmoj të knudërtën; kanë një kapacitet të jashëtzakonshëm. Unë jam befasuar sidomos me tematikat. Tematika të mençura. Unë jam e bindur se asnjë skenarist nuk do të shkruante më mirë për ta se ata për vete,” më rrëfen Elona duke më theksuar se ajo që e befasoi ishte se në tematikat e tyre mbizotëronte tema e Bulizmit, por e trajtuar me shumë mençuri dhe autoironi.

“Një gocë erdhi me temën: “Unë e dua hundën time”. Ishte shumë e bukur sepse jemi mësuar të përpiqemi ti ndryshojmë defektet tona, kurse ajo që komunikonte ajo vajzë ishte se unë e pranoj hundën time. Përderisa hunda ime nuk ka turp nga unë, pse duhet të kem unë turp prej saj”, më thotë Elona e emocionuar tek risjellë në mendje dhe bisedë atë eksperiencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë