Jete & Stil

Të mirat që sjellin ushtrimet në natyrë gjatë dimrit

Ushtrimet jashtë në natyrë mund të mos jenë zgjidhja për shumë njerëz tani që kanë rënë temperaturat dhe nuk kemi dëshirë as të dalim nga shtëpia por, siç shpjegon trainerja e njohur Julia Buckley ushtrimet dhe stërvitja në dimër ka shumë përfitime që thjesht mund të ndryshojnë mendjen tuaj.
"Stërvitja në mot më të ftohtë ka të mirat dhe të metat e veta, por nëse vendosni ta shihni në një anë më pozitive, si koha e kaluar në një mënyrë të vlefshme apo një mundësi për t'ju shpëtuar streseve të përditshme, do të shihni se do të shijojë shumë më tepër" tha ajo.
Gjatë ditëve të ftohta të dimrit, është normale të ndihesh i dëshpëruar dhe mungesa e humorit, nervozizmi dhe lodhja janë më të pranishme. Sidoqoftë, një studim i bërë nga Julia ka treguar se ushtrimet jashtë mund të rrisin vetëvlerësimin, të përmirësojnë gjendjen shpirtërore dhe të ulin nivelet e stresit. Në fakt, hulumtimi zbuloi se stërvitja në natyrë ka një ndikim pozitiv në cilësinë e gjumit, shëndetin fiziologjik dhe mirëqenien mendore. Në verë, trupat tanë mbështeten në rrezet e diellit për një dozë të bollshme të vitaminës D, e cila është e rëndësishme për të ndihmuar në shëndetin e muskujve, kockave dhe dhëmbëve të shëndetshëm. Në dimër, ndërkohë, rrezet e diellit nuk sigurojnë rrezatim të mjaftueshëm për lëkurën tonë për të krijuar vitaminë D dhe dalja në ajër të pastër dhe dritë natyrore është e rëndësishme për shëndetin tonë mendor.
"Ne kemi nevojë për ekspozim ndaj rrezeve të diellit për të ndihmuar në rregullimin e ritmeve tona cirkadiane dhe për ta mbajtur veten të shëndetshëm mendërisht", shpjegon Julia.
Mungesa e ekspozimit ndaj rrezeve të diellit natyrale bën që në trupat tanë të ketë konfuzion dhe "të goditet ritmi cirkadian" i cili,  nga ana tjetër, mund të ndikojë në mënyrën e të ngrënit dhe të gjumit, të ndikojë negativisht në gjendjen shpirtërore dhe të shtojë ndjenjat e lodhjes. Në fakt, hipoteza e prishjes së ritmit cirkadian pohon se çrregullimi sezonal lidhet me prishjen e ciklit natyror të gjumit/zgjimit gjatë muajve të dimrit. Por përfitimet nuk janë të kufizuara vetëm në shëndetin tonë mendor. Stërvitja gjatë dimrit përmirëson dhe imunitetin kur bëhet fjalë për të shmangur sëmundjet sezonale.

Për fat të mirë, shumë aktivitete mund të shijohen gjatë gjithë vitit dhe në pamundësi të tyre për shkak të pandemisë, ka shumë mënyra të tjera për të qenë aktiv. Ju mund të vraponi, të ecni ose të shëtisni më biçikletë.
Gjithashtu mund të përdorni pemët për tu stërvitur ose çfarëdo që ekziston përreth.
"Pasi të keni vendosur për tu stërvitur, kushtet janë po aq të rëndësishme sa dhe vetë stërvitja." thotë Julia.
Vishni rrobat e duhura. Julia thotë se kur ka lagështirë, nuk vesh rroba pambuku pasi ato mund të bëhen të rënda nga uji.
Produktet e tjera të përshtatshme për motin që ajo rekomandon përfshijnë geta me gjatësi të plotë, doreza, një xhaketë të mirë dhe kapuç të rehatshëm që mos të bezdisë.
Gjithashtu, Julia thotë se kurrsesi nuk duhet të dilni për vrap pa bërë disa ushtrime në fillim.
"Moti i ftohtë bën që muskujt tanë të bëhen më të ngushtë, që do të thotë se ata janë më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve dhe bërja e disa zgjatjeve dhe kardio të lehta për 10 minuta para se të filloni do të ndihmojë në lirimin e tyre dhe parandalimin e dëmtimit." tha ajo.
Jini të vetëdijshëm për motin

"Nëse i themi vetes se do të ushtrohemi vetëm në ditë me diell, do ta kemi të vështirë të qëndrojmë në formë!" tregon Julia.
Gjithashtu nuk duhet dhe ta teprojmë. Pra, nëse është stuhi, nuk kemi pse rrezikojmë, por mund të bëjmë stërvitje në shtëpi.
"E rëndësishme është që të gjejmë gjithmonë motivimin për të bërë stërvitje pasi kështu mund të ndihmojmë veten të jemi në formë dhe me energji." përfundon Julia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë