Politike

Të martën afati i fundit, partitë nxitojnë të regjistrohen për zgjedhjet

Partitë politike kanë kohë deri në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës për t’u regjistruar si pjesëmarrëse në zgjedhjet për pushtetin vendor që zhvillohen më 30 qershor. Afati është shtyrë me dy ditë për shkak të festës së Pashkës.

Numri i subjekteve politike që janë regjistruar deri më tani për pjesëmarrje në këto zgjedhje ka shkuar në 25, ndërkohë që të paktën gjashtë parti të tjera kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve aplikimin për t’u regjistruar.

Partia Demokratike njoftoi ditën e enjte se nuk ka ndërmend që të regjistrohet për pjesëmarrje në zgjedhje nëse më parë nuk plotësohen tre kushtet e shqiptuara nga Lulzim Basha. Mes kushteve, ndonëse jo i përforcuar, ishte edhe ai për qeveri tranzitore pa Edi Ramën Kryeministër. Qëndrimin e Bashës e ndau edhe LSI dhe aleatët e tjerë që i janë bashkuar aksionit opozitar me djegie të mandateve më 21 shkurt të këtij viti.

Por, ashtu si në listat e kandidatëve, ku pati rrjedhje, edhe mes partive aleate tradicionale të demokratëve janë regjistruar të tilla. Tre subjekte, dikur aleate të Bashës janë regjistruar deri më tani, përfshirë këtu Partinë Konservatore të Kujtim Gjuzit.

Mes subjekteve që kanë dorëzuar kërkesën për t’u regjistruar, proces që pritet të mbyllet ditën e martë, pra në fund të afatit janë Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, LIBRA, Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos dhe partia Zgjidhja.

Paralelisht me regjistrimin e partive, KQZ ka nisur procesin e plotësimit të anëtarëve jopolitikë të administratës zgjedhore që do të zëvendësojnë vendet e bojkotuara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, që refuzuan dorëzimin e listës me emrat për KZAZ.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë