Politike

“Të majtës i ka humbur busulla”

Ka disa vite tashmë që e majta tradicionale ka humbur terren zgjedhje pas zgjedhjesh në mbarë Europën karshi partive dhe lëvizjeve populiste. Eksodi vazhdon dhe rastet e fundit e më të freskëtat mbërrijnë nga Austria dhe Italia.

Nëse në Austri qeveria e re u formua nga një koalicion mes ekstremistëve të djathtë dhe qendrës së djathtë, në Itali gjërat janë shumë herë më të ndërlikuara. Partia Demokratike, që përfaqëson në Romë të majtën tradicionale u mposht nga Lëvizja 5 Yjet, një lëvizje antisistem e themeluar nga komediani Beppe Grillo.

Nga e djathta, Berlusconi u rikthye në koalicion me Lega Nord, por jo për të kandiduar vetë, por për të përkrahur Matteo Salvinin si Kryeministër. Rezultati, Lega Nord mori më shumë vota se vetë Forca Italia e Kavaljerit.

Bisedimet për qeverinë e re çuan në një koalicion të çuditshëm mes populistësh. 5 Yjet dhe Lega ngritën qeverinë e re dhe në bazë të marrëveshjes, ministër i Brendshëm u emërua Matteo Salvini. Ky i fundit, në programin elektoral kishte pikë të parë mbrojtjen e kufijve të Italisë nga ato që i quante “dyndje” të refugjatëve ilegalë.

Pak muaj pas hyri në zyrë nisi ta zbatojë programin. Ndaloi ankorimin e anijeve humanitare në portet italiane dhe ndërmori nismën dhe hoqi burokracitë e dëbimit të emigrantëve ilegalë nga Italia. Emri i tij në mediat tradicionale vendase përmendet gjithnjë e më shumë. Kritikat dhe zërat kundër i janë shtuar aq sa së fundmi bëjnë thirrje për padi ndaj tij për qëndrime raciste.

Veç drejtuesve dhe politikanëve të majtë, kundërshtarët më të përbetuar të Salvinit i gjen edhe mes emrave të botës së artit në Itali, përveç njërit. Pierfrancesco Diliberto, regjisori i njohur në botën e artit me emrin Pif ka mbrojtur tërthorazi Salvinin dhe politikat e tij dhe ka shigjetuar fort Partinë Demokratike të Matteo Renzit.

“Nëse je i pasur është shumë e lehtë që të jesh i majtë, sepse nuk ke problemet e të varfërve. Nuk ke romët apo emigrantët si fqinjë”, thotë ai për Radio Capital.

Në bindje edhe vetë është i majtë, por krizën e Partisë Demokratike në Itali dhe të majtës në përgjithësi në të gjithë Europën e interpreton ndryshe.

“E majta ka humbur busullën. Dikur, në zonat më të varfëra njerëzit ishin të majtë. Ishin të majtë sepse ishin të varfërt. Ku gaboi PD? PD duhet të rikthehet në terren, pikërisht në ato zonat ku ndodhen të varfërit. Nuk mund të bëhet për një kohë të shkurtër, por është më mirë që të harxhojë ca kohë dhe të flasë me njerëzit”, vijon regjisori.

Ai nuk i fal Partisë Demokratike refuzimin për të hyrë në koalicion me Lëvizjen 5 Yjet.

“Sot mund të kishim një qeveri që anonte nga e majta, por kemi një qeveri që anon djathtas”, deklaron Pif.

Diliberto mendon se partia e Matteo Salvinit i është imponuar në program, qeverisje dhe politikë të jashtme Lëvizjes 5 Yjet, drejtuesit e së cilës janë treguar naivë, sipas tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë