Lajme

Të humbur te njëri-tjetri – Kur dashuria nisi të bëhej art

Dashuria dhe arti kanë një marrëdhënie të ndërlikuar. Nga portretizimi më i hershëm i njohur për dashurinë fizike deri në skulpturën e parë të puthjes nga Gustav Klimt, historia e artit pasionant është më e thellë. Detaje të tilla, shpesh janë anashkaluar por kanë fuqinë të shndërrojnë këto përshkrime në diçka misterioze, komplekse dhe me konflikt emocional.
“Unë ju dua sepse ne të gjithë i duam gjërat e panjohura,” ka shkruar Pablo Neruda në një prej veprave të tij.

"Mithunas" Indi

Historia e marrëdhënies se dashurisë dhe artit ka nisur nga një gur i gdhendur 11.000-vjeçar, i cili njihet si “Lovers Ain Sakhir” e në dukje tregon se pasioni i zjarrtë i dashurisë i jep formë dhe një guri të ftohtë. Kjo skulpturë tregon se si trupat e një çifti, shkrihen në një dhe festojnë dashurinë e tyre. Ata janë aq të ngatërruar sa që është e pamundur të dallohen edhe gjinitë. Ndërsa një skulpturë tjetër e gjejmë edhe në Indinë Mesjetare, ku skulpturat që tregonin për dashurinë njiheshin si “mithunas” që zbukuronin tempujt hindu. Një vepër e tillë është krijuar në tempullin Orissa që prej shekullit të 13 në Indinë Verilindore dhe tashmë dihet nga të gjithë që simbolizon ndërthurjen e dashurisë fizike dhe shpirtërore. Relievi erotik portretizon një burrë dhe një grua të humbur në shikimin e njëri-tjetrit, ndërsa tentojnë të puthen.

"Nusja Hebreje" nga Rembrandt

Ndërkohë simboli i vërtetë i marrëdhënies së artit dhe dashurisë është piktura e famshme e piktorit Rembrandt e titulluar “Nusja hebreje” e cila tregon një burrë dhe një grua që kanë ndaluar për të shijuar një moment së bashku. Titulli nuk përshtatet me atë çfarë tregon piktura dhe dy shekuj më vonë, pasi u krijua ka bërë që shumë piktorë të rinj të jenë konfuz për interpretimin e saj.
Gjithashtu edhe piktura e piktorit Antoine Watteau “La Surprise” në vitin 1718 është një dëshmi se dashuria dhe arti janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Në pikturë duket qartë se djali i ka bërë një surprizë të bukur të dashurës së tij, duke ndërthurur magjinë e muzikës dhe të dashurisë që ndjen për të.

Ka një sërë pikturash të tjera që tregojnë për dashurinë nëpërmjet artit dhe të veçantës që kjo gjë ofron. Nëpërmjet pikturave dhe skulpturave, artistët e kohëve të ndryshme e kanë trajtuar dashurinë në aspekte të ndryshme. Disa e kanë treguar një ndjenjë vuajtjeje dhe kjo duket qartë në pikturën e shkrimtarëve të lashtë grekë Sappho dhe Erinna Solomon, pikturë e realizuar në vitin 1864. Ndërsa disa e kanë treguar si hapi i parë i shprehjes së pasionit që mbartin njerëzit. Pavarësisht interpretimeve të ndryshme duket qartë se, as misteret e artit dhe as dashuria nuk mund të kufizohen ose maten. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë