Politike

Dokumenti dhe fotot e takimit-Deri në fund të marsit gati reforma e re zgjedhore

Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë vënë vetes si afat fundor 15 marsin për miratimin e reformës zgjedhore. Ky është produkti i takimit mes Damian Gjiknurit e Rudina Hajdarit, si bashkëdrejtues të Komisionit Parlamentar për Reformës Zgjedhore me Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin, të mandatuar nga opozita jashtëparlamentare për diskutuar për këtë çështje.

Palët në këtë tryezë kanë rënë dakord që të ngrenë Këshillit Politik, në përbërje të të cilit do të jenë dy drejtuesit e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, përfaqësues të grupeve parlamentare dhe përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare. Këshillit, sipas dokumentit final të firmosur nga palët duhet të mblidhet brenda muajit janar për të autorizuar platformën me gjashtë pika.

Pika e parë kërkon që një përfaqësi me dy persona nga opozita jashtëparlamentare, pra Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili do të punojnë me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore, pra Damian Gjiknurin dhe Rudina Hajdarin dhe ekspertët e Komisionit.

Pika e dytë përcakton se aktiviteti i Këshillit do të bazohet në bazë të vendimit të miratuar nga Kuvendi në 2017 për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke përfshirë këtu edhe planin e punës të miratuar me konsensus nga ky komision në 2017, kur PD e LSI ishin në pranishme.

Në pikën e tretë, palët zotohen që të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve, përfshirë rekomandimet e OSBE. Për çështjet që nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-së, duke përmbushur një kusht të vendosur nga Partia Demokratike që kërkoi që në këtë reformë të përfshihen edhe ndërkombëtarët.

Në pikën e katërt thotë se Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore do të kërkojë zyrtarisht ndihmën e OSBE/ODIHR, përfshirë dërgimin e ekspertëve nëse kjo është e mundur, që të bashkëpunojnë me përfaqësuesit politikë dhe ekspertët e përcaktuar sipas pikës së tretë.

Në pikën e pestë sanksionohet se projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve sipas këtij kuadri të punës do të miratohet nga Kuvendi, ku socialistët zotohen që të mos kryejnë asnjë ndryshim në Komisionin e Reformës Zgjedhore, apo në seancë plenare të tekstit të darkodësuar mes palëve.

Pika e fundit, ajo e gjashta përcakton se e gjithë puna duhet të përmbyllet brenda 15 marsit të këtij viti, pra për dy muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë