Politike

Të gjitha rrugët të çojnë në Gjykatën Kushtetuese

Afatet kohore për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese dekretin me anë të të cilit Presidenti Ilir Meta anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, kanë përfunduar. Presidenti e firmosi dekretin më 10 qershor dhe më 10 korrik u tejkalua afati 30-ditor për të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin kundër këtij vendimi të Presidentit.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është jofunksionale. Por edhe në momentin që ajo do të ngrihet, dekreti i 10 qershorit i Presidentit Meta nuk mund të paraqitet më për shqyrtim për shkak të tejkalimit të këtyre afateve.

Mazhoranca e vlerësoi si nul dhe pa efekte ligjore vendimin e Presidentit. Sipas interpretimit që socialistët i bënë Kushtetutës, Presidenti nuk ka të drejtë që të anulojë datën e zgjedhjeve, por vetëm ta shpallë atë brenda periudhave zgjedhore të përcaktuara në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor.

Për këtë arsye socialistët nuk iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, por në Kuvend, së bashku me një pjesë e deputetëve të dalë nga listat e PD dhe të LSI-së që morën mandatet e dorëzuara në shkurt nga opozita, votuan së fundmi ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Paralelisht me vënien në lëvizje të mekanizmave parlamentarë për shkarkimin e Presidentit, socialistët vazhduan përpara me mbajtjen e zgjedhjeve dhe nisur nga një precedent jo krejtësisht i ngjashëm i të shkuarës rrëzuan dekretin në Kolegjin Zgjedhor. Si precedent u soll shtyrja e zgjedhjeve me një javë nga Bujar Nishani në 2017. Kjo shtyrje ishte produkt i një marrëveshjeje politike. Shtyrja u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga partia “Forca Rinia”. Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese tha se bëhej fjalë për një akt të kreut të shtetit që duhet të gjykohet nga Gjykata Administrative.

“Përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative apo, sipas rastit, të Kolegjit Zgjedhor dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet nga kjo Gjykatë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti u mbrojt duke thënë se dekreti që anulon 30 qershorin me arsyetimin se rrezikon përplasjen sociale dhe pluralizmin politik të mbrojtur nga Kushtetuta, për nga natyra është një akt normativ që gjykohet vetëm nga Kushtetuesja. Për këtë arsye, presidenti këmbëngul se dekreti i tij që anulon 30 qershorin është në fuqi, e po ashtu edhe dekreti i dytë që vendos 13 tetorin si datë të re për zgjedhjet vendore.

Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit, Kryeministrit, një të pestës e deputetëve, Avokatit të Popullit dhe në rastet e ankimimeve zgjedhore nga çdo subjekt që pjesëmarrës në zgjedhje. Me tejkalimin e afatit 30-ditor për ankimim askush nuk mund t’i drejtohet kësaj gjykate me kërkesën e posaçme për të vlerësuar 30 qershorin, edhe kur ajo të jetë funksionale.

Tani, dilema juridike më shumë se me 30 qershorin, lidhet me 13 tetorin. Presidenti Meta publikoi dekretin që shpall zgjedhjet vendore në këtë datë më 27 qershor, tre ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit. Sipas interpretimit kushtetutes të mazhorancës, Presidenti nuk mund të anulojë datën e zgjedhjeve, por vetëm ta shpallë atë. Nëse merret si një proces i ndarë nga 30 qershori, atëherë 13 tetori është një e drejtë e ushtruar nga ana e Ilir Metës.

Por, për shumicën edhe 13 tetori ka fatin e 30 qershorit, pra një vendim nul juridikisht. Nëse ky dekret do të njihej, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vend të përmbylljes së tabelave për zgjedhjet e 30 qershorit, do të duhej të kishte nisur punën për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor.

Kjo do të thotë se as 13 tetori nuk pritet që të ankimohet prej Partisë Socialiste në Gjykatën Kushtetuese. Në vend të kësaj, PS po punon në Kuvend me Komisionin Hetimor, që sipas shumicës do të identifikojë shkeljet kushtetuese të Ilir Metës dhe në fund do ta dalë me një raport për shkarkimin e tij.

Megjithatë, as vota me dy të tretat në Parlament pro shkarkimit të tij nuk është një vendim përfundimtar. Fjalën e fundit duhet ta japë sërish Gjykata Kushtetuese, e cila do të bëjë vlerësimin dhe interpretojë përputhshmërinë kushtetuese të akteve të Presidentit të Republikës.

Ky interpretim i Gjykatës Kushtetuese tërthorazi do të japë edhe një përgjigje përfundimtare si për 30 qershorin, ashtu edhe për 13 tetorin, nisur nga fakti që në raportin e socialistëve për shkarkimin e Metës anulimi i zgjedhjeve vlerësohet si shkelja më e rëndë.

Si përfundim, nga cilado anë të rrotullohet kriza institucionale mes Kuvendit e Qeverisë nga njëra anë dhe Presidentit e opozitës nga ana tjetër të gjitha rrugët e zgjidhjes së tyre, nëse më parë nuk ka një marrëveshje politike, të çojnë në dyert e Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë arsye janë shtuar edhe zërat e ndërkombëtarëve për të ngritur sa më parë Gjykatën Kushtetuese, krahas strukturave të reja të reformës në drejtësi, si Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë