Para

Të dhënat e BSH/ Rreth një mijë pagesa në ditë bëhen në euro. Rritet me 60% përdorimi i monedhës europiane

Nga Gazeta ‘SI’- Gjatë 2023-shit shqiptarët rritën pagesat në monedhën euro me 60%, duke arritur një shifër rekord, 4.13 mld euro.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në një ditë janë bërë mesatarisht mbi 1000 transaksione ose në total 249 mijë për të gjithë vitin me anë të sistemit AIPS euro.

BSH thotë se në 2023-shin, përdorimi i AIPS i kurseu shqiptarëve rreth 37 mln euro. 

AIPS u bë funksional në Shqipëri gjatë 2022-shi si një mundësi më e lirë për të kryer pagesat brenda vendit në euro. Më herët ky shërbim ishte shumë i kushtueshëm. 

Në total, për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, totali i komisioneve maksimum të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë, nuk duhet të jetë më i lartë se 50 euro, pavarësisht nga shuma. Për transfertat e kryera përmes këtij sistemi nuk aplikohen komisione për fondet në mbërritje.

Ndërkohë Shqipëria po përgatitet për anëtarësimin në SEPA, sistemi europian i transfertave, me kosto minimale për anëtarët e saj. Duke qenë se Shqipëria pret mijëra dërgeda remitancash, hyrja në SEPA do t’i kursejë asaj miliona euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë