Zyrtarisht, si policia ashtu edhe prokuroria kanë pranuar se Arben Ndoka u prangos pasi u përgjua gjatë komunikimeve me grupin e Avdylajve, por nuk jep më shumë detaje se çfarë e lidhte ish-deputetin me grupin kriminal të Shijakut.
Pyetja që ngrihet në këto rrethana është se si ra familja Ndoka në rrjetat e policisë dhe njëkohësisht me grupin Avdylaj?
Siç thotë një burim i sigurtë për Gazetën “Si”, gjatë përgjimeve ndaj grupit Avdylaj rezulton se pas vrasjes se Aleksander Ndokes më 9 dhjetor 2017 familjarët e tij kanë nisur përpjekjet për të gjetur autorët.
Paralelisht me përpjekjet për të identifikuar autorët, familjarët e Aleksandër Ndokës, përfshi këtu Arben ndokën kanë kontaktuar njërin prej anëtarëve të grupit Avdylaj duke ju kërkuar që të viheshin në lëvizje për eleminimin e vrasësve të vëllait.
Grupi i Avdylajve është vënë në lëvizje fill pas marrjes së porosisë për të nxjerrë me leje ditore një të dënuar, i cili sapo të kryente vrasjen do të rikthehej sërish në qeli.
Por, i gjithë plani ka dështuar pasi familja Ndoka nuk ka mundur dot që të gjejë në kohë autorët e vrasjes së Aleksandër Ndokës, ndaj për këtë Avdylajt nuk kanë vepruar.
Në skemën në fjalë dyshohet se është përfshirë edhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, gjithashtu i arrestuar nga policia pasi ‘ua lehtësonte’ dënimin të burgosurve me CV të ngjeshur kriminale, përmes lejeve, transferimeve, apo futjes së telefonave në qeli, kundrejt pagesave që varionin nga 1500 deri në 3 000 euro.
Në një rast, Çuko dyshohet se do të transferonte të dënuarin Olsi Karagjozi, një element me precedentë kriminalë, i dënuar me 22 vite burg si vrasës me pagesë.
Nga ajo që kanë dalë nga përgjimet, dyshohet se në rastin e familjes Ndoka me Avdylajt skema duket se ka qenë e thjeshtë; Ndokajt kontaktojnë Avdylajt për një ‘porosi’, këta të fundit ja delegojnë ‘porosinë’ një të dënuari, i dënuari kryen “detyrën” dhe rikthehet që të vuajë dënimin e mbetur.
Por, a është kjo hera e parë që është vënë në zbatim një skemë e tillë? A është përdorur rryshfeti në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për të nxjerrë me leje, qoftë edhe njëditore vrasës, që sapo dalin, vrasin dhe rikthehen sërish në qeli?
Rastet që janë provuar që një i burgosur ka dalë nga burgu, ka ekzekutuar dhe është rikthyer sërish me dëshirën e tij në qeli për të vuajtur dënimin e parë mungojnë, por numri i dhjetëra ekzekutimeve mafioze ndër vite në vendin tonë përforcon bindjen se kjo skemë nuk është përdorur për herë të parë nga Avdylajt dhe Ndokajt.
Por, ka raste kur të dënuarit për vrasje marrin leje dhe pasi dalin nuk kthehen më në qeli. Disa arratisen, të tjerë përfundojnë të vrarë. Lista e këtyre të fundit është e gjatë, po aq sa e gjatë mendohet se është edhe lista e personave të ekzekutuar me urdhër nga qelitë.
Rasti më tipik është ai i Admir Tafilajt, që edhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm merrte porosi dhe urdhëronte vrasje nga qelia e burgut të Drenovës, e provuar kjo edhe nga një prej personave të ngarkuar me këto detyra, shtetasi Kristi Pine.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.