Futboll

Te Bajerni shpërthen çështja De Ligt: Pse nuk luaj? Pyesni trajnerin Tuhel!

Gazeta Si – Vetëm 10 minuta në fushë në 2 ndeshjet e fundit dhe te Bajern Mynih ka shpërthyer çështja De Ligt. Mbrojtësi holandez u ble për 67 milionë euro nga Juventusi në verën e 2022-shit, por tani po qëndron në stol.

"Pse nuk po luaj titullar? Shiko, nuk e kam idenë, duhet të pyesni trajnerin. Po bëj gjithçka që ai thotë dhe duke luajtur edhe në mesfushë për vetëm 10 minuta", - ka thënë lojtari në konferencë shtypi. Pas atij fillimi sezoni të vështirë (u zëvendësua nga Kim pas pjesës së parë në Superkupën e Gjermanisë), Tuhel i ka dhënë pak hapësirë De Ligt, duke preferuar dyshen Upamekano-Kim.

"E vetmja gjë që mund të bëj është të punoj në stërvitje. Pjesa tjetër është detyrë e trajnerit, ai merr vendime", - ka shtuar De Ligt. Për të trajneri ka lënë të kuptohet se ka një formë fizike të papranueshme: "Po përmirësohet, - është shprehur Tuhel, - por këtu je te Bajern Mynih dhe është e vështirë. Askush nuk meriton të qëndrojë në stol, por duhet lënë mënjanë egoja”.

Raporti mes Tuhel dhe mbrojtësit është në fundin e vet, ndërsa për t’i hedhur ujë zjarrit ka menduar drejtori sportiv i bavarezëve, Kristof Frojnd, i cili për ‘Bild’ ka deklaruar:

"Mathijs është një element shumë i rëndëshishëm për skuadrën tonë. Kemi tre mbrojtës qendrorë të klasit botëror në dispozicion dhe kemi nevojë për të gjithë ata. Kuptohet që situata aktuale nuk është një sfidë e thjeshtë për De Ligt, por jam i bindur se muajt e ardhshëm do të ketë mundësi të luajë rregullisht. Në stërvitje është i impenjuar maksimalisht".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë