Para

Të ardhurat nga turizmi nivel rekord, 4.2 mld euro për 2023

Nga Gazeta ‘Si’ - Turistët që vizituan Shqipërinë vitin e shkuar shpenzuan gati 4.2 miliardë euro, 47% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë shpenzimet e të huajve gjatë 2023-shit u zgjeruan me mbi 1.3 miliardë euro në krahasim me 2022-shin. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.

Në linjë të ngjashme kanë shkuar edhe shpenzimet e shqiptarëve që preferuan t’i kalonin jashtë pushimet, të cilat arritën në mbi 2.3 miliardë euro, 32% më shumë se një vit më parë.

Në raport me 2022-shin, shpenzimet e shqiptarëve për pushime u rritën me 564 milionë euro apo gati 40 për qind.  

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se mesatarisht çdo turist i huaj ka shpenzuar 398.3 euro për pushime në vend gjatë vitit të shkuar.

Nga ana tjetër, çdo shqiptar që i kaloi jashtë pushimet gjatë 2023-shit rezulton të ketë harxhuar 337.6 euro.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, vitin e shkuar Shqipërinë e vizituan mbi 10.1 milionë të huaj, pjesa më e madhe e tyre nga Kosova, Italia, Maqedonia e Veriut, Greqia, dhe Britania e Madhe. 

2023-shi shënoi vitin më të mirë historik sa u përket prurjeve turistike. Edhe të dhënat e para të këtij viti tregojnë se rritja e numrit të turistëve të huaj po vazhdon, duke dëshmuar se turizmi ka hyrë në një cikël rritjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë