Para

Të ardhurat në buxhet për 5 muajt e parë, tatim-fitimi rritje rekord. Suficiti dyfishohet

Nga Gazeta 'SI' - Në pesë mujorin janar-maj, në arkën e shtetit janë mbledhur 258 mld lekë, duke u rritur me 10.5% nga një vit më parë dhe duke kaluar parashikimet për periudhën.

Shpenzimet, gjatë të njëjtës kohë, kanë rezultuar 221.7 mld lekë, 3.5% më shumë se një vit më parë dhe sa 90% e planit të periudhës.

Suficiti ka rezultuar po ashtu në rritje, 36.2 mld lekë për pesë mujorin, rreth 20 mld lekë më shumë se një vit më parë dhe rreth 30 mld lekë më shumë se plani për periudhën.

Të ardhurat

Të ardhurat e arkëtuara nga tatimet dhe dogana rezultuan 224.2 mld lekë, me rritje rreth 10% nga një vit më parë. Nga këto, 84.1 mld ishin të ardhura doganore, vetëm 0.5% më të larta se viti i shkuar. Nga pritshmëritë e planit për pesë mujorin, kjo shifër rezulton 1% më e ulët.

Të ardhurat nga TVSH-ja e importit nuk përbëjnë më zërin kryesor e arkëtimeve. Për pesë mujorin nga TVSH-ja janë mbledhur 58.2 mld lekë, 2% më pak se një vit më parë dhe 0.3% më shumë se plani për periudhën.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 21.1 miliardë lekë, 1.7 miliardë lekë ose 8.5% më shumë se viti 2022, si dhe 617 milionë lekë ose 2.8% më pak se plani i akcizës për 5 mujorin 2023.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.3 miliardë lekë, 30.2% më pak krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 67.2% kundrejt planit.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 3.5 miliardë lekë, 11.5% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe realizim në masën 110.8% kundrejt planit.

Të  ardhurat nga arkëtimet e Tatimeve u realizuan në masën 140.1 miliardë lekë, 15.8% më shumë se 5 mujori i vitit të kaluar, si dhe 7.3% më shumë se plani i 5 mujorit 2023.

Rritjen më  të  madhe e ka pasur zë ri i tatimit mbi fitimin, në masën 29.3 miliardë lekë 40.9% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe 32.7% më shumë se plani i vitit 2023 për Tatimin mbi Fitimin.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 18.6 miliardë lekë, 12% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe 1.1% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 5 mujorin 2023. Rimbursimet për periudhën 5 mujore 2023 janë 7.6 miliardë lekë, 35.6% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe ose 9.6% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 5 mujorin 2023.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 22.8 miliardë lekë, 24.8% më shumë se 5 mujori 2023, si dhe 12.8% më shumë se plani i 5 mujorit 2023.

Taksat nacionale, për periudhën 5 mujore 2023 u realizuan në masën 14.3 miliardë lekë, 17.6% më pak se 5 mujori 2022, si dhe 23.7% më pak se plani i përcaktuar për 5 mujorin 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore  (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 55 miliardë lekë, 15% më shumë se 5 mujori 2022, si dhe realizim 107.8 % të planit për 5 mujorin 2023.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën pesë mujore të vitit 2023, arritën në rreth 221.7 miliard lekë me një realizim në masën 90% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 3.5% më i lartë ose rreth 7.6 miliard lekë  më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 5 mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 31.8% të planit vjetor.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 94.4% dhe 76.7% të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 36.2% dhe 19.1% të tij

Shpenzimet korente për periudhën 5 mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 198 miliard lekë , ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 8% më i lartë ose rreth 14.7 miliard lekë  më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 5 mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 23.6 miliard lekë . Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 2.8% më i lartë ose 648 milion lekë  më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë