Lajme

Tavo vijon të jetë ende deputet i LSI: Gjithçka për një lapsus!

Nëse LSI ka dorëzuar mandatet në masë pas vendimit të opozitës së bashkuar, Vangjel Tavo vazhdon të jetë ende deputet i kësaj force politike së bashku me Lefter Kokën.

Po çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Një ngatërresë me plotësimin e dorëzimit të mandatit të tij, ka bërë atë që Tavo vijon të jetë të paktën ligjërisht deputet i Parlamentit shqiptar.

Në një postim në “Facebook”, Tavo ka sqaruar se u njoftua nga mediat se është ende deputet, kjo pasi në plotësimin e formularit, ai nuk e ka vënë saktë emrin e të atit, ashtu siç figuron në dokumentacion, ndërsa shton se i qëndron vendimit për të dorëzuar mandatin dhe se sapo të kthehet në Shqipëri do ta kryejë edhe një herë këtë procedurë.

“Nxitimthi, gjatë plotësimit të formularit kam kryer një lapsus nga ana ime, në lidhje me emrin e saktë të babait, pasi nuk është shënuar sipas pashaportës. Unë i qëndroj më shumë dhe më bindshëm se kurrë qëndrimit dhe aktit politik të dorëzimit të mandatit, ndaj do e plotësoj edhe një herë formularin në mënyrë të saktë dhe do e dorëzoj me t’u kthyer në Shqipëri nga një vizitë që po bëj jashtë vendit.”, shkruan ai ndër të tjera, ndërsa hedh akuza ndaj Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve në Kuvend, kur thotë se duhet të kishin thirrur çdo deputet, për deklaruar edhe një herë heqjen dorë nga mandati.

Deputeti tjetër i LSI, që nuk iu bind urdhrit të partisë për të djegur mandatin, është Lefter Koka, i cili e argumentoi vendimin e tij se i bindet vetëm vullnetit të popullit.

Ndërkohë, ditën e djeshme, katër anëtarë të listës vijuese të deputetëve nga radhët e LSI-së, janë ulur në Parlament, duke bërë betimin dhe marrë mandatin e deputetit.

https://www.facebook.com/VangjelTavoZyrtare/posts/2098696670250479

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë