Para

Tatimet: Rimbursimi i TVSH-së përfundon në tremujorin e dytë

Brenda muajit maj do të rimbursohen nga tatimet 16 mld lekë. Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Enton Duro.

Gjatë një konferencë për shtyp ku sqaroi vonesat që kanë ndodhur me rimbursimin e TVSH-së, ai tha se po punohet që të ngushtohet hendeku midis kërkesave për rimbursim dhe rimbursimit. Sipas tij, krahasuar me vitin 2018, fondi për rimbursimin e TVSH-së është 32% më i lartë.

“Gjatë muajit prill kemi rimbursuar 90% të fondit. Gjatë muajit maj parashikohet se do të rimbursohet 100% e fondit.”- tha Duro.

Sipas tatimeve stoku deri në fund të muajit prill është 14.9 miliardë lekë; nga këto 10 miliardë janë TAP, Bunkers, Ayen, të cilat janë skeduluar per t’u rimbursuar me këste. Sipas llogarive, mbeten 4.9 miliardë lekë detyrime ndaj bizneseve eksportues, fason, grumbullues, etj.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve shpjegoi gjatë konferencës se për disa biznese VIP është rënë dakord për procedurën e rimbursimit.

“Një nga kriteret që ne kemi marrë në analizën tonë janë grupet e fasonit të eksportuesve dhe grumbulluesve që preken nga kursi i këmbimit, por që kanë një efekt të madh në ekonomi dhe në punësim.”- tha ai duke shtuar se janë në sinkron edhe Ministrinë e Financave që në fund të tremujorit të dyte situata të rregullohet.

“Ka një historik që duhet analizuar dhe parë por situata po përmirësohet, duke u ngushtuar edhe hendeku,” u shpreh Duro.

Alarmin e rimbursimit të TVSH dhe pagimin e detyrimeve të prapambetura e ngriti edhe FMN në deklaratën e saj në përfundimin të vizitës dyjavore në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë