Para

Tatimet dhe bizneset do t’ia shlyejnë detyrimet njëri-tjetrit me këste

Vonesat në pagesa të detyrimeve që shteti u ka bizneseve, i ka vënë ata në vështirësi prej kohësh. Këto detyrime, shtoji kontratat jo transparente të PPP-ve, janë arsyet që sipas institucineve ndërkombëtare ekonomia shqiptare është nën risk.

Megjithatë, arka e shtetit në vështirësi, ka detyruar tatimet dhe Ministrinë e Financave që pagesën me këste të TVSH-së dhe detyrime të tjera ndaj bizneseve ta vendosë me ligj.

Në Kuvend ka mbërritur projektligji për “Procedurat tatimore i ndryshuar”.

Sipas relacionit shoqërues, qëllimi kryesor i këtij ligji është të krijojë një regjistër të subjekteve që lëshojnë fatura dhe kështu të kontrollojë përmbajtjen e tyre, të monitorojë të gjitha faturat e lëshuara (pavarësisht nëse ato paguhen me apo pa para në dorë) gjatë kryerjes së transaksioneve B2C (Business toConsumer), B2B (Business to Business) dhe B2G (Business to Government), si dhe pagesat e faturave të lëshuara e të regjistruara pa para në dorë, në kohë reale, nga administrata tatimore e Republikës së Shqipërisë.

Në projektligj është parashikuar se, në raste të veçanta, me kërkesë të administratës tatimore, marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet edhe për detyrime që administrata tatimore ka ndaj tatimpaguesve, të tilla si: kërkesa të miratuara për rimbursimin e TVSH-së, pasi më parë palët kanë rënë dakord për planin e pagesave me këste të këtij detyrimi. Kjo mënyrë shlyerje detyrimesh do të zbatohet deri më 30.6.2021.

Po ashtu është shtuar edhe gama e detyrimeve për të cilat tatimpaguesi mund të hyjë në marrëveshje me këste, duke synuar uljen e borxhit tatimor.

Në këto raste, detyrimi i administratës tatimore ndaj tatimpaguesit konsiderohet i shlyer dhe nuk aplikohen kamatëvonesat.

Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore pasi është bërë një vlerësim nga tatimet si dhe për detyrime tatimore të vetëdeklaruara nga tatimpaguesi.

Pavarësisht kësaj, sipas projektligjit, administrata tatimore nuk hyn në një marrëveshje të pagesës me këste, për detyrim tatimor mbi të ardhurat, të mbajtura në burim dhe të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, si dhe për detyrim nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, i cili është llogaritur ose mbledhur, ose mbajtur prej tatimpaguesit.

Nga ky rast kanë përjashtim vetëm tatimpaguesit institucione apo ente shtetërore ose edhe publike, qendrore apo vendore, apo ente të tjera ku shteti është palë, për raste të një interesi të lartë publik ose të nevojës për moslejimin e cenimit të rendit e të sigurisë kombëtare. Me to mund të lidhet një marrëveshje me këste edhe për detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Projektligji citon se marrëveshja me këste nuk përjashton nga penaliteti personin/at përgjegjës në rastet e konsumimit të veprës penale të parashikuar ligjërisht lidhur me detyrimin që ka vetëdeklaruartatimpaguesi, i cili është llogaritur ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë