Lajme

Tatimet: Deklaroni tatimfitimin dhe pasqyrat financiare të 2018-ës

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i kërkon tatimpaguesëve që të bëjnë deklarimet e tatimfitimit dhe pasqyrat financiare të 2018-ës brenda datës 29 mars.

Tatimet e argumentojnë kërkesën për të shmangur çdo problem që mund të vijë nga mbingarkesa e sistemit gjatë ditëve të fundjavës (30 mars – 31 mars).

Tatimet thonë se tatimpaguesi duhet të dorëzojë formularin e Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin sipas modelit të miratuar me udhëzim. Ky formular plotësohet në përputhje me shënimet sqaruese.

Po kështu, ai dorëzon vetëm elektronikisht në administratën tatimore bilancin kontabël së bashku me pasqyrat financiare dhe anekset e tij, konkretisht :

Bilanci (aktivet, pasivet dhe kapitali)

Pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve

Pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e fluksit të parasë ose pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow)

Aneksi për shpjegimet sqaruese

Raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë (kur ky raport kërkohet në zbatim të bazës ligjore në fuqi).

Dokumentacioni shtesë i kërkuar në bazë të ligjit në fuqi, i cili do të dorëzohet elektronikisht së bashku me pasqyrat financiare është:

Kontratën e qirasë për ambientet e marra me qira apo vërtetimin e pronësisë për objektin
Gjendjen e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2018 (analitik)

Inventarin e mjeteve të transportit në pronësi

Pasqyra e aktiveve afatgjata materiale

Pasqyrat financiare (pasqyrat e aktivit, pasivit dhe kapitalit), pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow), pasqyra e aktiveve afatgjata materiale, do të dorëzohen elektronikisht në version PDF (të skanuara) dhe në version Excel.

Pasqyrat financiare të dorëzuara në version PDF (të skanuara) detyrimisht do të jenë të nënshkruara dhe vulosura nga administratori i shoqërisë.

Do të dorëzohen elektronikisht vetëm në version PDF (të skanuara) aneksi për shpjegimet sqaruese, raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë, kontratat e qerasë për ambientet e marra me qira, vërtetimi i pronësisë për objektet në pronësi, inventari i mjeteve të transportit në pronësi.

Gjendja e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2018 (analitik) do të deklarohet në versionin e mundshëm të tatimpaguesit, por me kushtin që versioni i deklaruar të jetë i pandryshueshëm.

Tatimet vënë në dispozicion për informacion dhe asistencë sportelet e Shërbimit të Tatimpaguesve ose nr telefononi pa pagesë të Qendrës së Thirrjeve 0800 00 02.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë