Lajme

Task Forcë për turizmin, në sitë të gjitha njësitë akomoduese

Një Task Forcë për turizmin është ngritur vetëm një muaj pasi është çelur zyrtarisht sezoni veror. Task Forca, e cila ka në përbërje përfaqësues nga disa institucione, do të jetë në terren deri më datën 20 korrik.

Të gjitha hotelet dhe njësitë e tjera akomoduese do të jenë në sitën e saj për të garantuar një sezon veror më të sigurt dhe cilësor për pushuesit.

Task Forca përmes një plani të detajuar do të verifikojë kushtet e lejeve mjedisore në rastet e strukturave akomoduese, respektimin e zonave ku duhet të ketë rojë sigurie, kufizimin e zonave ku lejohet notimi dhe lëvizja e mjeteve të shpejtësisë, menaxhim korrekt nëpërmjet hapësirave publike dhe private të stacioneve të plazhit si dhe do të kërkojë me rigorozitet respektimin e zhurmave.

Fokusi do të jetë në zonat bregdetare ku edhe rreziku është më i madh në këtë sezon, por nga observimi i Task Forcës nuk përjashtohen edhe zonat e tjera.
Në të gjithë vendin janë rreth 3800 struktura akomoduese. Ato janë të kategorizuara në hotele, dhoma private apo bujtina, hostele.

Por këtë herë në qendër të vëmendjes së shtetit do të jenë më tepër hotelet e mëdha. Ministria e Turizmit pret që ky vit të mbyllet me 6.6 milionë turistë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë