Para

Tarifat e larta të telefonatave me vendet e treta, BE: Nuk mund të ndërhyjmë

Eurodeputeti grek, Lefteris Christoforou kërkon që Bashkimi Europian të ndërhyjë për të ulur tarifat e komunikimeve telefonike me konsumatorëve europianë me vendet e treta, siç është Shqipëria.

“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të ulur kostot e komunikimeve telefonike me vendet joanëtare të Bashkimit Europian, pasi nga kjo përfitojnë qytetarët e BE-së, bizneset, të rinjtë dhe mbi të gjitha zhvillimi i komunikimeve në vendet e treta. A ka një plan BE për të përdorur të njëjtat tarifa që zbatohen brenda BE-së, edhe për komunikimet telefonike me vendet jashtë BE?”, pyet Christoforou Komisionin Europian.

Në përgjigjen që i ka kthyer, Komisioni Europian thotë se i ka të kufizuara mekanizmat për uljen e kostove të komunikimit me vendet jashtë Bashkimit Europian.

“Ligji siguron që konsumatorët brenda vendeve anëtare të Bashkimit Europian të kryejnë një telefonatë me kosto jo më të lartë se 19 cent për minuta, plus Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe të dërgojnë një mesazh me kosto jo më lartë se 6 cent, plus TVSH. Thirrjet në një vend të tretë, jashtë BE-së nuk mund t’i nënshtrohen kësaj rregulloreje, pasi ato përfundojnë në një rrjet jashtë juridiksionit të BE-së. Prandaj, Komisioni nuk mund të vendosë për vendet e treta të njëjtat marrëveshje e tarifa që zbatohen për vendet anëtare”, thuhet në përgjigjen që Komisioni i ka kthyer eurodeputetit grek.

Komisioni kujton gjithashtu se jashtë rregullores së Bashkimit Europian që mbron konsumatorin do të dalë edhe Britania e Madhe, sapo të shkëputet nga unioni. Kjo do të thotë se për telefonatat që do të kryhen nga BE në drejtim të Britanisë dhe anasjelltas, nuk mund të zbatohen çmimet e lartpërmendura nga Komisioni, por ato do të rregullohen nga autoritetet britanike.

 

Më Shumë