Makina

Targat shqiptare do të ndryshojnë nga viti 2022, për herë të parë do të jenë të personalizuara

Janë miratuar ndryshimet në rregulloren e Kodit Rrugor ku pjesë e këtyre ndryshimeve janë disa risi për targat shqiptare.

Për herë të parë do të kemi targë me dimensione më të vogla, për përpara, për automjetet që kanë kufizim hapësire! Targa e re e vogël do të ketë dimensionet 360 x 100 mm ndërkohë që shërbimi do të jetë me tarifë ekstra.

Gjithashtu, për herë të parë do të kemi targë të personalizuar, deri me 7 karaktere (numra ose gërma) e cila për herë të parë do të jetë edhe e transferueshme nga mjeti në mjet (mbartja do të vlejë edhe për targat me përzgjedhje), një shërbim që do të jetë me tarifa ekstra.

Do të kemi edhe format targe amerikane, për automjetet që nuk kanë hapësirën e duhur për formatin standard, zakonisht për targën e pasme, me përmasa 305 x 153 mm, kundrejt tarifës ekstra!

Ndërkohë, targat e motoçikletave do të jenë në formatin e ri 177 x 177 mm për t’u përshtatur me hapësirën standard të prodhuesit për motomjetet dhe tarifat do të jenë e njëjta me sot.

Do të shpejtohet kompletimi i flotës shqiptare të mjeteve rrugore me targën standard të modelit aktual. Çdo mjet rrugor i pajisur me targa para datës 01.03.2010 (me targa modeli i vjetër), që paraqitet pranë zyrave të DPSHTRR për të marrë një shërbim që lidhet me mjetin, duhet të ndryshojë targat e mjetit rrugor në targa të modelit të ri.

Të gjitha këto risi vlejnë për të gjitha kategoritë e mjeteve rrugore civile.

Në vijim, me botimin e ndryshimeve në Fletoren Zyrtare, DPSHTRR (Dejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor) do të procedojnë me aktet rregullatore, caktimin e tarifave, dhe kryerjen e investimeve dhe zhvillimeve informatike përkatëse që do të mundësojnë zbatimin e këtyre risive. Të ardhurat ekstra nga këto shërbime do të shkojnë për modernizimin e DPSHTRR si edhe për projekte e programe speciale mbi kulturën automotive e Green, sektorin Retro, Automotoparkun e parë shqiptar dhe për aktivitete edukative mbi Sigurinë Rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë