Editorial

Tallavaja e Lanës nën tingujt e Bashkisë

urban

Rrëshqitja nga aksidenti rrugor i një autobusi me qytetarë brenda dhe bashkë me të, edhe i një makine me dy udhëtarë në Lanë, përgjatë Unazës së brendshme të kryeqytetit, është dramatike.
Fatmirësisht nuk pati viktima, por kjo nuk ia ul dramacitetin ngjarjes.
Gazeta ‘Si” mësoi se aksidenti ende nuk është referuar në polici dhe se prokuroria ende nuk ka mbyllur dosjen.
Hetimi është brenda afateve ligjore dhe procedurave normale, por tingëllon pak e palogjikshme kjo shpejtësi e ulët, pasi kemi parë sa më shpejt, brenda edhe 1 ore, policia rrugore, kur ka aksidente, zbardh skemën, përcakton fajtorin dhe ekzekuton sipas rastit.

Ndërsa për ngjarjen në Lanë kanë kaluar dy ditë dhe askush nuk tregon një pistë apo një shkak fillestar.
Kjo e ka një shpjegim që nuk lidhet me aksidentin.

Meqë ka heshtje nga agjencitë e ligjit, nuk do të thotë se ditët pas aksidentit nuk u mbushën me episode groteske, nën ritmet e një folku politik që tingëllon si tallava.
Kjo lloj muzike banale, nisi kur me vrap në ekrane televizorësh u shfaq ministrja e Shëndetësisë te spitali ku ishin të lënduarit. Kjo ngjarje është e rëndë për kontekstin, por jo për pasojën fizike. Disa aksidente tragjike me humbje jete ndodhën para dhe pas ngjarjes në Lanë, por në asnjë prej tyre nuk ishte zonja Manastirliu. Por askush nuk ia kërkon këtë. Ajo ka tjetër detyrë.
Paralel me të u shfaq edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili nga vendi i ngjarjes tha se shoferi i urbanit që ofron shërbim publik të licencuar nga Bashkia, nuk kishte konsumuar alkool?!! A thua “lali”, siç ka qejf t'i thërrasin, është administratori i pipëzave dedektuese dhe përgjegjësia e tij është përpara përgjegjësisë së policisë. As këtë detyrim askush nuk ia kërkoi, por ashtu si zonja Manastirliu, u vetëofruan?! Apo mos vallë kryetari i druhet pyetjes se ”Sa të sigurt janë këta urbanë? A kontrollohen periodikisht automjetet dhe drejtuesit?"

Pa u lehtësuar dhimbjet fizike të lënduarve, erdhi befas propozimi cinik që urbani të qëndrojë aty mes dy brigjeve të Lanës si instalacion për të ndërgjegjësuar njerëzit për rrezikun e aksidenteve rrugore. Kjo nismë që buroi si lajm i parë në disa forume mediatike u kap në ajër nga Bashkia.

“Do pyes qytetarët”, tha zoti Veliaj, duke na çuditur pasi ai ka kohë që ka harruar të pyesë qytetarët kur ndërton korsi biçikletash, inceneratorët, kur shkurton vendet e lira për parkim publik pa pagesë etj.

Nga dinamika e këtyre fakteve ju e kuptoni që, meqë ngjarja është e rëndë, ajo nuk duhet të perceptohet si një informacion trishtimi dhe pakënaqësie te publiku. Duhet shërbyer diçka tjetër më argëtuese që t'i zerë vendin dramës së aksidentit.
Është si një këngë tallavaje në dasmë. Ku më qejfliu apo i zoti i dasmës, nën tensionin që eventi të shkojë sa më mirë, i tërheq njerëzit në valle. Megjithëse secili prej tyre, tek e tek, nuk e dëgjon tallavanë për qef të shpirtit, në aheng e sipër e meqë e do sebepi, rreshtohen pas të parit. Nuk ka rëndësi teksti, boll që muzika të të shkundë këmbët dhe të të ndezë euforinë.
I pari zoti Rama, sot kryeministër, do të ndihej keq me këtë qasje.
Me siguri ai e mban mend kur ishte në krye të Bashkisë e nisi të pastrojë Lanën nga “wc”-ja e madhe publike e ndërtimeve informale. Në projektin për rigjenerimin kishte parashikuar disa ura ndërmjetëse që do shërbenin si librari apo biblioteka të vogla mbi lumë.

Si do të ndihej ai tani që Erjoni pret të dëgjojë publikun me idenë që “po sikur në vend të librave, të mbajmë aty autobusin e përkujtimores?”
Nuk është i lehtë vendimi ëë.. Në vend të dijes t'i ngresh kult trishtimit dhe politikës së tallavasë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë