Drejtësia

Autobusi në Lanë, prokuroria nis hetimet për kundërvajtje penale. Pritet ekspertiza

Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për autobusin i cili përfundoi në Lanë mbrëmjen e së premtes, duke rrezikuar jetën e dhjetëra udhëtarëve.

Sipas burimeve paraprake, çështja po hetohet nga prokurori Shpëtim Garunja, i cili e ka regjistruar ngjarjen deri tani si kundravajtje penale.

Kjo, për shkak se nga aksidenti nuk ka viktima dhe të plagosurit janë të dëmtuar lehtë.

Kjo ka sjellë edhe mosarrestimin e asnjë prej drejtuesve të mjeteve.

Por ndërkohë pritet ekspertiza autoteknike e mjeteve si dhe ekspertiza e vendgjarjes së ekspertëve të Policisë Shtetit.

Nga verifikimet paraprake dyshohet për dy pista: një gabim njerëzor dhe një problem elektrik i mjetit.

Në këtë mënyrë do të përcaktohet shkaku i ngjarjes, i cili për pak mund të shndërrohej në një tragjedi.

Autobusi drejtohej nga 62-vjeçari Muhamet Kyçyku, i cili ka qënë duke qarkulluar në korsinë e mesit ka humbur kontrollin dhe nuk ka mundur dot të qëndrojë në stacion.

Për të shmangur përplasjen me mjete të tjera që po qarkullonin në këtë aks, drejtuesi i autobusit është përplasur me mjetin tip “Benz”, duke e nxjerrë edhe atë nga rruga.

Makina, e cila drejtohej nga 27-vjeçari Jurgen Rama, ishte duke qarkulluar paralelisht në korsinë e djathtë në tentativë për të parakaluar.

Më pas mjetet u përplasën me një pemë dhe përfunduan në lumin Lana. Nga aksidenti u plagosën 5 persona, ku tre prej tyre përfunduan në Spitalin e Traumës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë