Vende dhe Udhetime

Taksitë-avion që do të dërgojnë turistët në kullat 100 metra të larta

Turistët mund të shkojnë me një taksi fluturuese për të shijuar një drekë apo darkë luksoze në eko-kullat prej 100 metrash.

Ky është rezultat i një bashkëpunimi midis kompanisë së avionëve pa pilot EHang Holdings dhe arkitektëve në një zyrë arkitekturore në Romë.

Secila prej kullave, të quajtura 'vertiporte', do të lejojnë që taksitë-aviona pa shofer të ulen në tarracat e tyre dhe pasi turistët të konsumojnë një vakt që s’do mend, do të jetë shumë i kushtueshëm, taksia fluturuese i dërgon turistët përsëri në hotelet e tyre.

Sipas arkitektëve, dizajni unik i kullave vertiport është frymëzuar nga Baobab, një pemë që ndodhet në Afrikë dhe do të ndërtohet nga një kombinim i drurit dhe çelikut.

Brenda secilës kullë do të ketë një kafene, një dhomë pritjeje dhe një restorant panoramik.

Ndërkohë tarraca në majë të secilit vertiport do të jetë e pajisur me panele diellore, që do të gjenerojnë më shumë se 300 kilovat energji çdo ditë.

Kjo gjithashtu do të furnizojë energjinë e nevojshme për të karikuar taksitë fluturuese.

Secila prej taksive është ndërtuar si një dron i madh dhe ndryshe nga helikopterët tradicionalë, taksitë-avion nuk kanë nevojë që pasagjerët t'i pilotojnë.

Vendi i saktë ku do të ndërtohet vertiporti italian, megjithatë, ende nuk është njoftuar.

Sidoqoftë, arkitektët kanë thënë se ata tashmë po planifikojnë koncepte të ngjashme për vendet në të gjithë Europën dhe Azinë Juglindore.

“Vertiportet do të luajnë një rol të rëndësishëm në tregun e Lëvizjes Ajrore Urbane dhe epokën e re të fluturimit”, tha një zëdhënës i EHang.

Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë