Para

Taksat e ndërtimit ‘mbajtën në këmbë’ bashkitë e Shqipërisë

Nga Gazeta ‘SI’ - Ndërtimet e shumta në vend kanë rezultuar pozitive për buxhetet e njësive vendore, aty ku arkëtohen këto taksa. Për vitin 2022, taksat mbi ndërtesat qenë zëri kryesor i të ardhurave të bashkive të Shqipërisë.

Raporti i fundit i Co-Plan, Institutit për Zhvillim për financat e vitit 2022, tregon se në rang vendi, taksa e ndikimit në infrastrukturë, arkëtoi 10.1 mld lekë, me rritje 7% nga një vit më parë. 73% e vlerës së kësaj takse është arkëtuar në bashkinë Tiranë, lidhur me ndërtesat e reja.

Co-Plan thekson se sa më shumë vend të zërë kjo taksë në thesin e bashkive, aq më të ekspozuara bëhen ato ndaj sektorit të ndërtimit. Kjo taksë zë 46% të totalit të taksave vendore.

Taksa tjetër me shumë peshë ishte ajo e pasurive të paluajtshme dhe shit-blerjes së tyre e cila gjatë vitit 2022, i solli buxhetit 6.1 mld lekë. Përsëri Tirana mban pjesën më të madhe ndaj totalit, 46%, por vërehet një rritje e ndjeshme e bashkive që administrojnë zonat bregdetare, Kavajë, Himarë etj. Kjo taksë zë 42% të totalit të taksave vendore.

Ndonëse të ardhurat nga to duken pozitive, Co-Plan thekson se problematikat e lidhura me të drejtat e pronësisë dhe mungesës së regjistrave kadastralë, ndër të tjera pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit të kësaj takse.

Në vitin 2022, nga taksat mbi tokën bujqësore, truallin dhe ndërtesën u mblodhën rreth 5.3 miliardë lekë, nivel ky më i ulët se një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë