Në një bashkëbisedim me qytetarët nga Vlora, Kryeministri Edi Rama deklaroi se Qeveria po shqyrton mundësinë e rishikimit të taksës progresive, por që nuk do të ndodhë para janarit të vitit të ardhshëm.
Synimi, sipas asaj që tha Rama, është rritja e fashës së pagës së patatueshme në 40 mijë lek.
“Po diskutojmë që vitin e ardhshëm të rishikojmë progresivitetin e taksës dhe deri në 40 mijë lek të mos kenë asnjë taksë. Po e diskutojmë dhe po bëjmë përllogaritjet tona”, tha ai.
Aktualisht, paga e përjashtuar nga taksat është deri në 30 mijë lek. Gjatë fjalës së tij, Rama u kujdes që të mos e premtojë këtë ndryshim brenda 2022. Ai tha se shqyrtimi i këtyre ndryshimeve po bëhet në kuadër të platformës Shqipëria 2030. Kryeministri përsëriti se PS nuk do ta dalë me program elektoral.
“Nuk do të prezantojmë një program elektoral, por do të prezantojmë planin e veprimit Shqipëria 2030. Po llogarisim nëse mund ta bëjmë në 2022, por ama e sigurtë është që në 1 janar 2023 do ta bëjmë këtë”, tha ai.
Para vlonjatëve, Rama premtoi ujë 24 orë brenda mandatit të tretë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.