Taksa

Taksa e energjisë, Ibrahimaj: Nuk është taksë komuniste, po vendoset edhe nga BE-ja

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha në Komisionin e Ekonomisë se qeveria po punon për taksën e energjisë për të draftuar projektligjin i cili po konsultohet me grupet që do të preken.

“Nuk është një taksë komuniste, është një taksë që po vendoset nga pjesa më e madhe e vendeve të BE-së. Është një taksë që tashmë është bërë direktivë e BE-së, nuk është dukuri shqiptare.,” – tha ajo.

Ndërkohë lidhur me taksën për lojërat e fatit, Ibrahimaj tregoi se janë bazuar në historikun e mbledhjes së kësaj takse para pezullimit dhe llogaritja është bërë mbi atë historik. Ajo tha se në fund të vitit të kaluar ishte gati strategjia afatmesme e të ardhurave e përpunuar me FMN-në që u hodh për konsultim publik.

Pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë u mor vendimi se nuk do të merret asnjë masë për këtë strategji.

“Unë uroj shumë që gjatë vitit të ardhshëm situata makroekonomike vendase dhe globale të fillojë të normalizohet, parashikueshmëria të fillojë të rritet dhe ne të rimarrim në diskutim të gjithë ata elementë të strategjisë afatmesme të të ardhurave të cilat ndër vite i kemi diskutuar,” – u shpreh Ibrahimaj.

Ajo tha se parashikohet një vlerë e madhe e rritjes së të ardhurave nga mirë administrimi, përgjegjësi dhe punë që i delegohet tatimeve dhe doganave, dy institucioneve taksambledhëse.

“Mendojmë që rezerva nuk mund të ketë për aq kohë sa ne kemi bërë këtë parashikim, madje ka risqe si për lart si për poshtë,” – tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë