Politike

Tabaku: Politika fiskale, pa vizion. Shtresa e mesme do paguajë papërgjegjshmërinë e qeverisë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cilësoi politikën fiskale të qeverisë si të papërgjegjshme dhe pa vizion.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë mbi të ardhurat e planifikuara në projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2023”, Tabaku tha se rritja e të ardhurave në buxhet nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së konsumit, por si pasojë e inflacionit.

Ajo theksoi se Shqipëria ka 148 mijë taksapagues më pak këtë vit duke bërë që barra fiskale t’i kalojë pjesë tjetër të mbetur, duke dëmtuar rëndë buxhetin e qytetarëve dhe veçanërisht të shtresës së mesme.

“Ne nuk kemi stimuj fiskal por rritje taksash. Ne kemi rënie konsumi dhe ky i fundit do të penalizohet. Nuk kemi normën më të lartë të inflacionit në rajon por parashikimin për rritjen më të ulët në rajon sipas parashikimeve të Bankës Botërore.

Rritja e taksave nuk ka ardhur nga mirëadministrimi por nga inflacioni dhe nga rritja e barrës fiskale. Janë 148 mijë taksapagues më pak dhe barra i ka kaluar pjesës tjetër”, tha Tabaku. 

Ajo gjithashtu i bëri thirrje qeverisë që të taksonte punën dhe jo kapitalin.  

“Ju stimuloni informalitetin duke ndërtuar nivele. Ne duhet të kemi një debat profesional se çfarë masash duhet të marrim. Ju nuk merreni me përjashtimet tatimore që keni në sistem por merreni me shtresën e mesme”, citoi Tabaku. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë