Politike

Taksa 100%, Serbia lëviz të gjithë gurët kundër Kosovës në OKB

Presioni ndaj Kosovës për heqjen e taksës ndaj Kosovës ka vazhduar edhe në OKB, duke çuar edhe në një reagim të ashpër nga përfaqësuesit shqiptarë, të cilët kanë akuzuar Këshillin e Sigurimit se është kthyer në një “armë” të Serbisë.

Në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën tema që ka mbizotëruar ka qenë ajo e taksës prej 100 për qind në mallrat nga Serbia dhe Bosnje Hercegovinës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq e ka nisur fjalimin e tij duke akuzuar Kosovën se ka vendosur këtë tarifë për të vështirësuar jetën e komunitetit serb. Ai ka thënë se taksa ndaj produkteve serbe është dënuar nga mekanizmi ndërkombëtarë, përfshirë aleatët e Prishtinës.
Sipas tij qeveria e Kosovës ka pasur për qëllim të vështirësojë jetën e komunitetit serb në Kosovë.

Përfaqësuesi serb ka përmendur edhe fillimin e punës së Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë, duke thënë se Serbia pret që aktakuzat e para të bëhen publike shumë shpejt, për të gjykuar ato që ai i ka cilësuar si “krime ndaj serbëve dhe personave tjerë që nuk kanë qenë shqiptarë”.

Ndërkohë, edhe shefi i misionit në UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, ka pranuar se periudha e fundit nuk ka kontribuuar ne përmirësimin e atmosferës sa i përket marrëdhënieve të Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij, liderët e të dyja shteteve janë duke u përballur me sfida të shumta. Tanin ngriti po ashtu alarmin se se ka pasur tentativa për të destabilizuar situatën.

Ai ka ngritur alarmi se koalicioni qeveritar në Kosovë ka krijuar një situatë kritike në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke vendosur taksën ndaj produkteve serbe.
Por Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku i është përgjigjur duke thënë se UNMIK-u nuk ka mandat në Kosovë. Ajo deklaroi se për të është e pabesueshme se në këtë Organizatë është diskutuar më shumë për Kosovën sesa për Sirinë, Jemenin apo Venezuelën.

“Ky Këshill është kthyer në teatër nga Serbia dhe është bërë një vend ku autoritetet serbe tregojnë përralla që nuk besojnë as ata vetë”, reagoi ashpër ambasadorja. Ajo deklaroi se vendosja e taksës nuk ka qenë e lehtë, mirëpo ka qenë zgjidhja e vetme ndaj fushatës së ashpër të Serbisë kundër Kosovës.

Vlora Çitaku

Sa i përket miratimit të ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, Çitaku ka deklaruar se vendimi ka qenë ligjor dhe kushtetues, në mënyrë që Kosova të mund të kontribuojë në organizata ndërkombëtare. Sipas saj ky vendim ka treguar maturinë e Kosovës si shtet.

Ambasadorja e Kosovës e ka përfunduar fjalimin e saj duke thënë se “tani i takon Serbisë që të lirojë veten nga Kosova”.

Përfaqësuesi amerikan në këtë takim, Jonathan Cohen, ka thënë Shtetet e Bashkuara besojnë që marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet në vitin 2019. Megjithatë ai ka thënë se para se të ndodhë një gjë e tillë, autoritetet e Kosovës duhet të heqin taksën ndaj produkteve serbe.

Ndërkohë përfaqësuesi i Gjermanisë, ka thënë se diskutimet për ndryshim të kufirit në mes të këtyre dy shteteve janë të “rrezikshme dhe destabilizuese për gjithë rajonin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë