Politike

Takimi Shqipëri-BE, Pollo: Nuk pati progres

Takimi i dhjetë i Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit Shqipëri – BE ka shkaktuar debate në distancë mes mazhorancës dhe opozitës. Deklarata e miratuar pa praninë e opozitës u cilësua si një arritje nga ana e mazhorancës, ndërsa opozita thekson në rezolutën finale nuk pati progres për negociatat. Kryetari i komisionit parlamentar të Integrimit, Genc Pollo në një reagim të tijin në rrjetet sociale thekson se nuk pati vlerësim krahasuar me takimin e një viti më parë.

“Kush pretendon se dje në Bruksel, në Këshillin e Stabilizim Asocimit (KSA) qeveria Rama mori lavdërimin e radhës nga Komisioni Europian do të ketë dëgjuar vetëm intervistat e Bushatit, por nuk ka mundësi të ketë lexuar deklaratën e KSA ku pala europiane u kryesua nga Përfaqësuesja e Lartë Mogherini”, thekson Pollo.


Ndërsa ka bërë publikuar dy deklaratat e KSA-së të dy viteve, duke treguar se Shqipëria nuk ka pasur arritje siç pretendon qeveria. 
“Ndërkohë që në mbledhjen para një viti, më 15 nëntor 2017, znj. Mogherini “mirëpriti hapa kundër krimit e korrupsionit e suksese kundër kanabisit” në vijim të mbledhjes së djeshme u tha se “BE ritheksoi nevojën kritike për të arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar veçanërisht kundër kultivimit e trafikimit të narkotikëve”. Kontrasti sipas Mogherinit duket qartë:

1-në 2017 mirëpresin hapat, në 2018 ritheksojnë nevojën kritike për rezultate të prekshme;

2-në 2017 flitet në përgjithësi për krim e korrupsion, në 2018 për korrupsion në të gjitha nivelet;

3-në 2017 flitet vetëm për kanabis, në 2018 flitet për “drugs” pra narkotikë të tërë llojeve përfshi kokainën”, shprehet Pollo.

Sipas tij, qeveria e majtë po bëhet pengesë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. “Edhe në këtë lagje të Brukselit dashamirëse me ta Rama e Bushati nuk ndërtojnë dot më Fasadën e Potjemkinit. Edhe kjo deklaratë tregon se qeveria rilindiste po bëhet gjithnjë e më shumë pengesë për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, thekson Pollo.

Bushati, Hahn dhe Mogherini në konferencën e djeshme për shtyp

Opozita nuk mori pjesë në takimin e djeshëm, por për këtë demokrati akuzon mazhorancën, pasi shmangu nga tradita. “Për herë të dytë qeveria Rama shkel mbi traditën pozitive të përfaqësimit bipartizan në organet e BE si shprehje e vullnetit konsensual për integrim evropian. Edhe sot, ashtu si dhe një vit më parë, qeveria Rama u paraqit në Bruksel vetëm me zyrtarë si Bushati e te tjerë, por pa kryetarin e këtij komisioni për Integrimin Europian, të cilit nuk ju dërgua ftesë. Që në vitin 2011 Qeveria e Partisë Demokratike krijoi precedentin pozitiv të përfshirjes së kryetarit të Komisionit parlamentar për Integrimin Europian, asokohe Ditmir Bushati, në takimet vjetore të Këshillit të Stabilizim Asocimit Shqipëri-Bashkim Europian. Ky precedent pozitiv bazuar në mbështetjen konsensuale mazhorancë-opozitë të anëtarësimit të vendit ne BE u kthye në tradite deri në nëntor 2017. Ky gjest nuk është vetëm frikë nga e vërteta e kriminalizimit të shtetit, me bandën e Bajrave e plot të tjera gjë që nuk fshihet dot më as në Tiranë, Bruksel e gjetiu. Është edhe shenjë e degradimit politik të kësaj qeverie që rrënon çdo trashëgimi politike pozitive që ka gjetur duke u kapur fort mbas karriges si i mbyturi pas fijes së barit”, deklaroi Pollo.

Reagimi i Bushatit: Opozita, jo baltë procesit
Akuzave të lëshuara nga opozita nëpërmjet deputetit të PD-së, Genc Pollo, kryediplomati Ditmir Bushati i është kundërpërgjigjur nga foltorja e Parlamentit. Bushati tha se bëhet fjalë për një kalendar të përbashkët për miratimin dhe zbatimin e reformës zgjedhore, dhe miratimin e zbatimin e elementëve të reformës në drejtësi.
“Është e pakuptueshme për çdo qytetar të zakonshëm të këtij vendi siç është po ashtu e pakuptueshëm për çdo partner europian që e mbështet Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE, refuzimi i opozitës parlamentare për t’i dhënë mundësinë shkollës së Magjistraturës për të furnizuar më shumë sistemin e ardhshëm të drejtësisë në burime më serioze në këtë drejtim, burime që nuk preken apo nuk mund të preken nga virusi që ka prekur sistemin tonë të drejtësisë. Është gjithashtu e pakuptueshme për çdo qytetar të zakonshëm të këtij vendi, por dhe të çdo partneri europian që na mbështet në këtë proces për të kuptuar refuzimin, baltën e opozitës ndaj procesit të vetingut, i cili në fund të ditës është një proces pastrimi radikal i Pallatit të Drejtësisë dhe rikthimit të besimit të njerëzve tek institucionet e shtetit të së drejtës”, tha Bushati në fjalën e tij.
Ai informoi deputetët për takimin e 10-të të KSA në Bruksel, ku tha se u konfirmua pozicioni i qartë, kontributi aktiv dhe dinamik i Shqipërisë në rajon, linjëzimi 100 % i politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të BE, kontributi për paqe, stabiliteti demokratik dhe prosperitet i Shqipërisë i cili në asnjë moment nuk është vendosur në pikëpyetje.
“Gjithashtu, Këshilli i Stabilizim Asociiimit Shqipëri- BE konfirmoi stadin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës, kryesisht reformës në drejtësi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke qenë se vetë vendet anëtare të BE në qershor të këtij viti kanë përcaktuar një kalendar të qartë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, sikundër dhanë dritën e gjelbër për fillimin e punës përgatitore, po siç quhet ndryshe në gjuhë teknike procesi “screening”, proces i cili ka filluar, proces molekular ndërmjet Komisionit Europian nga njëra anë dhe administratës publike shqiptare”, tha Bushati.


Deklarata e përbashkët

Në deklaratën e përbashkët të Komisionit të publikuar pas mbledhjes, kërkohet vijimi i reformave. “BE-ja rikujtoi Konkluzionet e Këshillit Evropian të Qershorit 2018, në të cilat Këshilli ra dakord që t’i përgjigjej pozitivisht përparimit të mësipërm dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019. Rrjedhimisht, BE-ja përsëriti nevojën kritike që Shqipëria të ruajë dhe të thellojë ritmin aktual të reformave, të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore, në veçanti përmes procesit të vetting-ut, dhe të shënojë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, duke pasuruar rezultatet pozitive që janë arritur në luftën kundër kultivimit të kanabisit gjatë kësaj periudhe”, thuhet në këtë deklaratë.


Deklarata e përbashkët pas takimi të përbashkët Shqipëri-BE e vitit 2017


BE përshëndet aksionet e ndërmarra nga ana e policisë për arrestimet e realizuara kohëve të fundit, ndërsa kërkon që qeveria të sekuestrojë asetet e bandave kriminale. “BE përshëndeti operacionet e mëdha të kohëve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar të kryera nga Policia e Shtetit shqiptar dhe theksoi se është thelbësore të forcohen përpjekjet për konfiskimin e aseteve kriminale si dhe të garantohet ndjekja e duhur gjyqësore e operacioneve të suksesshme të zbatimit të ligjit. Delegacioni i Shqipërisë ritheksoi angazhimin e fortë për të vazhduar të japë rezultate konkrete në agjendën e reformave dhe në veçanti për çështjet që lidhen me shtrirjen e sundimit të ligjit. Ai theksoi se rezultatet e arritura nga Shqipëria në fushën e sundimit të ligjit përbëjnë një bazë solide për avancimin e mëtejshëm të integrimit në BE, pasi ato krijojnë terrenin për punën e mëtejshme që do të kryhet në kuadër të negociatave mbi kapitujt 23 dhe 24”, thuhet më tej në deklaratë.

Deklarata e përbashkët pas takimi të përbashkët Shqipëri-BE, 14 Nëntor 2018


Këshilli i Stabilizim-Asociimit vuri në dukje se qasja e përforcuar për këto kapituj të negociatave do të rrisë më tej aktivitetin dhe progresin në sistemin gjyqësor, në të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. KSA vuri në dukje se, pas Konkluzioneve të fundit të Këshillit Evropian, Komisioni ka filluar punën përgatitore teknike me palën shqiptare.
Gjithashtu nëpërmjet kësaj deklarate, BE-ja ritheksoi se dialogu konstruktiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi në Kuvendin e Shqipërisë janë thelbësorë për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE. “Në këtë kontekst, BE theksoi rëndësinë e ndjekjes në mënyrë të vazhdueshme të dialogut gjithëpërfshirës politik, ndërkohë që avancohet puna teknike në të gjitha komisionet relevante parlamentare, përfshirë atë në Komitetin ad hoc për reformën zgjedhore. BE nënvizoi nevojën që të gjitha palët të gjejnë konsensusin e nevojshëm për të ndryshuar ligjin mbi statusin e gjyqtarëve, i cili do të mundësojë rekrutimin e një numri më të madh kandidaturash të reja për gjyqtarë”, theksohet në deklaratë.
KSA-ja vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon si një partner pro-aktiv dhe konstruktiv, si dhe vazhdimin e linjëzimit të plotë të saj me qëndrimet dhe deklaratat e BE-së në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Këshilli i Stabilizim Asociimit përshëndeti gjithashtu pjesëmarrjen e vazhdueshme të Shqipërisë në nismat dhe strukturat rajonale në Evropën Juglindore si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe qëndrimin konstruktiv rajonal. BE përsëriti se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe stabiliteti rajonal janë elementë thelbësorë të procesit të Stabilizim Asociimit.


BE: Opozita në Parlament dhe ministri i Brendshëm

Takimi u kryesua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati. Delegacioni i BE-së u udhëhoq nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Zëvendës Presidente e Komisionit, Federica Mogherini, Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, përfaqësoi Komisionin Evropian. Në konferencën për shtyp, zyrtarët e lartë të BE-së kërkuan që opozita t’i japë fund bojkotit. “Anëtarësimi në BE është një objektiv i përbashkët, i cili do të duhet të realizohet dhe është i domosdoshëm në këtë fushë dialogu ndërpartiak. Qeveria ka përgjegjësinë për të krijuar kushtet për këtë dialog, ndërkohë që opozita nuk duhet të bojkotojë proceset parlamentare”, deklaroi komisionieri Hahn.
Ndërsa Mogherini, foli edhe për një ministri të Brendshme funksionale, ashtu si edhe për dënimin e grupeve kriminale. “Ne kemi diskutuar këtë çështje pasi është një çështje e rëndësishme sa i përket vendeve të BE që të shohin që puna e ministrisë së Brendshme të funksionojë siç duhet dhe ajo të jetë aktive”, theksoi zv.presidentja e KE-së.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë