Biznes

Takimi me bizneset, Rama: Mos kërkoni më të hidhni energji në rrjet. Fokusi tek të rinjtë dhe IT

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri i vendit Edi Rama, njoftoi bizneset në vend që prodhojnë vetë energji fotovoltaike, që të heqin dorë nga kërkesa se mund të kalojnë energji elektrike në rrjetin e transmetimit.

“Kjo nuk mund të ndodhë sepse nuk ndodh në asnjë vend të botës dhe nuk është shpikur një formulë e tillë. Nuk ka një formulë se si të futën në rrjet të gjitha megavatët që prodhon një subjekt privat”, -tha kryeministri Rama gjatë takimit me bizneset në vend. Ai shtoi se incentivat nuk do të mungojnë dhe se bizneset duhet të jenë të parat që udhëheqin rrugën e energjisë së gjelbërt.

Kreu i qeverisë theksoi edhe zhvendosjen e fokusit tek të rinjtë dhe aftësimi i tyre në fushën e digjitalizimit dhe teknologjisë së informacionit, duke ndihmuar njëkohësisht edhe bizneset që kanë mungesë të fuqisë punëtore dhe për vetë të rinjtë. Ai tregoi se do të ketë një kontakt intensiv me kompanitë për ofrimin e këtyre specializimeve dhe trajnimeve në këtë fushë,  për të rinjtë.

"Është e domosodoshme që kompanitë të marrin pjesë duke financuar ato burime njerëzore që duan për vete. Kërkesat e kompanive për më shumë burime njerëzore të kulfikuara në IT janë të shumta dhe janë në rritje. Të gjitha kompanive, kujt më shpejt dhe kujt më vonë i lind kjo nevojë. Tu japim mundësi shumë vajzave dhe djemve që të mirëpaguhen"- tha Rama.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, pjesë e takimit po ashtu, theksoi se programi do të synojë aftësimin e 100.000 koduesëve gati për tregun e punës, brenda pak vitesh.

Ajo përmendi gjithashtu se në javën në vazhdim do të rihidhet në konsultim projektligji për të ardhurat personale, për shmangien e barrierave.

“Do të miratohet projektligji për fondet dhe pensionet, ai i arbitrazheve, për taksimin e pasurive të paluajtshme dhe kadastrës fiskale. Do të konsultohen strategjitë e eksporteve dhe tregtisë elektronike që janë ende në draft dhe do të miratohet nënshkrimi elektronik për bizneset, nuk do të ketë më kode”, - tha ministrja Ibrahimaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë