Futboll

Takim me Antonio Konten, presidenti i Napolit do me çdo kusht italianin në stol

Gazeta Si – Pas dy ditësh pushimi në Francë, Rudi Garsia kthehet sot te Napoli për të vazhduar stërvitjen. Skuadra është përgjysmuar nga ndeshjet e kombëtareve, ashtu siç është përgjysmuar edhe besimi i klubit ndaj trajnerit aktual.

Fjalët e presidentit De Laurentis janë të qarta. Një besim i përkohshëm do të thotë mosbesim, kështu që sapo të paraqitet mundësia, ose më saktë sapo presidenti i kampionëve në fuqi do të marrë përgjigjen që do nga Antonio Konte, Garsia do të largohet.

Përgjigja e Kontes mund të vijë orët e ardhshme, pasi trajneri dhe presidenti i Napolit kanë lënë një takim, ku do të diskutojnë për mundësinë e bashkëpunimit. De Laurentis kërkon ta bindë ish-trajnerin e Juventusit, Interit, Çelsit dhe Totenhemit. Nuk do të jetë e lehtë, por kur De Laurentis lëviz personalisht, e bën sepse do të marrë patjetër atë që do.

Nëse merr ‘Po’-në e Kontes, pronari i Napolit do të veprojë pastaj për të zgjidhur raportin me Garsian. Mundësitë janë për një zgjidhje të parakohshme konsensuale të akordit në fuqi.

Nëse Konte nuk jep ‘ok’-in, në sfond janë kandidaturat e tjera, Tudor dhe Galtier. Por janë hipoteza sekondare, De Laurentis do të bëjë gjithçka për të marrë Antonio Konten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë