Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i shoqëruar së bashku me avokatin e tij, Maksim Haxhia ngjiti sot shkallët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dorëzuar një provë shumë të rëndësishme që ka lidhje me procesin hetimor të nisur prej më shumë se një viti nga Prokuroria në adresë të tij.
Ai u paraqit rreth orës 13:00 dhe qëndrimi i tij në prokurori nuk zgjati as më shumë se 15 minuta.
Ish-ministri i Brendshëm, Tahiri ndodhej në prokurori, ku sipas burimeve, ai ka siguruar dokumente të reja, se provojnë se ai nuk është i përfshirë në grupin e Habilajve, që po hetohet nga drejtësia italiane.
Ai është nën hetim nga prokuroria prej 1 viti, me akuzën se ka përdorur policinë e Shtetit për të ndihmuar kushërinjtë e tij të largët, të arrestuar tashmë në Itali, të njohur si pjesëtarë të grupit të Habilajve. Mbi ish-ministrin rëndojnë akuzat e korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës.
“Paraqita diçka që besoj se është me rëndësi deçizive për procesin. Do të flas pas dy-tre ditësh për median, ka një provë që është deçizive. Më vjen keq që keni ardhur këtu, por kaq kam për të thënë”, deklaroi ish-ministri pas daljes nga Prokuroria.
Mësohet se paraqitja pranë organit të Akuzës është kërkuar nga vetë ish-ministri, i cili e la enigmë faktin nëse bëhet fjalë ose jo për ndonjë dokument, vendim-pushimi për çështjen, i marrë nga Gjykata e Katanias.
“Nuk kam frikë. Kërkoj mirëkuptimin tuaj. Kam mbi një vit që dëgjoj pafundësisht dhe kam heshtur prisni dhe dy tre ditë”, iu përgjigj Tahiri pyetjes nëse kishte frikë nëse do të merrej si i pandehur nga ana e Prokurorisë dhe se provat e reja lidhen me vendimet e gjykatës italiane.
Ai u pyet edhe për faktin se tashmë si një pronar i “Zëri të Popullit”, që ka qenë organi zyrtar i Partisë Socialiste, se si e sheh misionin e medias, por ish-ministri qeshi ndaj kësaj pyetjeje dhe menjëherë ua ktheu: "Do flasim herë tjetër edhe për këtë!".
Të shtunën që kaloi ish-ministri i Brendshëm paralajmëroi daljen në një konferencë për shtyp për të paraqitur provat tejet të rëndësishme për hetimin e nisur ndaj tij.
Por dorëheqja e ministrit Fatmir Xhafaj bënë që Tahiri të anulojë daljen publike para median, duke shmangur çdo keqkuptim nëse kjo konferencë do të lidhej me këtë ndryshim të papritur me qeverinë e tij.
Dokumenti i Gjykatës Katanias për Tahirin
Ish-ministri i Brendshëm mësohet se ka dorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda vendimin e Gjykatës së Katanias në Itali në të cilën bëhet e ditur se ndaj tij është mbyllur çështja hetimore.
“Gjykata, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit dhe duke pranuar në mënyrë të plotë argumentet e prokurorit, në bazë të nenit 409-411 KPP, vendos mbylljen e hetimit për çështjen në shqyrtim dhe depozitimin e akteve pranë prokurorisë”. Ky është vendimi i marrë nga Gjykata Italiane e Catanias më datën 5 tetor të këtij viti, bazuar në kërkesën e Prokurorit të Antimafias.
Më tej në këtë dokument prej dy faqesh përmendet fakti se në përgjimet e realizuara flisnin për personin e hetuar Tahiri, ministri i Brendshëm i Shqipërisë dhe kushëririt Moisi Habilaj.
Përgjimi i regjistruar brenda makinës në pronësi të Moisi Habilaj daton më 12 dhjetor të vitit 2013 ndërmjet Moisi Habilaj dhe Sabuadin Çelaj dhe në të Moisi flet se kishte blerë dy byzylykë për gruan dhe nënën e Saimirit (Tahirit), duke përmendur edhe shumën 30 mijë euro.
“Për sa më sipër, megjithëse nuk ka dyshim për citimet e bëra nga Moisi Habilaj gjatë bisedave të përgjuara, veçanërisht ku përmend se ka për t’i dhënë 30.000 Euro SAIMIR –it, ose në pjesët ku flet për blerjen e bizhuterive për bashkëshorten dhe nënë e Saimir Tahirit, në vlerësimin e prokurorisë, në mungesë të provave të vlefshme nuk rezulton të ketë elementë të përshtatshëm për të mbështetur akuzën në fjalë. Në bazë nenit 408 të Kodit të Procedurës Penale -125 të dekretit legjislativ 217/1989, Kërkon: Gjyqtari i hetimeve paraprake në këtë rast të vendosë për arkivimin e këtij procedimi dhe për rrjedhojë të urdhërojë kthimin e akteve të kësaj zyre”, thuhet në këtë vendim të marrë më 15 mars 2018.
Tahiri e ka tërhequr këtë vendim me datën 23 tetor, ndërsa dokumenti është firmosur më 19 mars nga 2018, nga Prokurori i Republikës, Carmelo Petralia, i cili konfirmon kërkesën e Prokurorit të Antimafias Andrea Bonomo për mbylljen e hetimeve ndaj Tahirit duke i hapur rrugë kështu vendimit të Gjykatës.
Në dt. 5.10.2018, Gjykata Italiane e Catanias, me gjyqtare Loredana Pezzino, bazuar në kërkesën e Prokurorëve të Antimafias, ka marrë vendim për mbylljen e hetimit me argumentet e mësipërme.
Ish-ministri tani problemet i ka vetëm me drejtësinë shqiptare, pasi me atë italiane, sipas këtij dokumenti i ka të mbyllura sa i përket dosjes “Habilaj”.
Hetimet ndaj Tahirit dhe komisioni hetimor
Hetimet ndaj ish-ministrit janë shtyrë deri me 17 janar për shkak se Prokuroria është në pritje të letërporosive. Kjo është shtyrja e katërt e hetimeve për çështjen “Habilaj”, ku opozita ka akuzuar Tahirin se gjatë mbajtjes së postit si ministër ka favorizuar grupin që po gjykohet në Katania të Italisë.
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasi në hetim Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bashkëpunuar me zyrtarët e lartë të policisë së shtetit, ku si person i dyshuar është dhe ish-ministri i Brendshëm në hetim Saimir Tahiri. Personi në hetim Moisi Habilaj në bashkëpunim me persona të tjerë duke përfituar nga lidhjet fisnore me ish-Ministrin e Brendshëm dhe kundrejt shpërblimeve të dhëna atij, kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike dhe transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë vendit.
Madje prokurorët shprehen se dyshojnë se Tahiri kishte dijeni dhe u siguronte paprekshmërinë.
Opozita akuzoi se Tahiri kishte udhëtuar me Habilajt në Greqi me automjetin Audi që ai u kishte shitur më parë. Një tjetër akuzë ishte dhe udhëtimi i Tahirit me jaht drejt Malit të Zi.
Në tetor të vitit 2017, Prokurori i dosjes “Habilaj”, Besim Hadarmataj kërkoi nga Parlamenti autorizimin për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetit të PS-së, Saimir Tahiri me qëllim arrestimin e tij për dy akuza, trafik droge dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Më 25 tetor të vitit të kaluar Kuvendi me 75 votat e mazhorancës rrëzoi kërkesën e Prokurorisë, duke deklaruar se janë të hapur që Tahiri mund të hetohej i lirë.
Nga ana e tij, ish-Ministri i Brendshëm ka kundërshtuar akuzat teksa dorëzoi dhe mandatin e deputetit më 3 maj 2018, ku kërkoi prej Prokurorisë një hetim të plotë.
Besim Hajdarmataj u largua nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për t’u caktuar në një detyrë tjetër. Kjo bëri që ai të mos kishte më drejtimin e çështjes së “Habilaj”, por ta merrnin 4 prokurorisë të tjerë.
Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë me kërkesë të opozitës ka ngritur komisionin hetimor për të kontrolluar veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore në parandalimin dhe goditjen e fenomenit të kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën Prokuroria po heton Saimir Tahirin, ish-Ministër i Brendshëm.
Afati i këtij komisioni që drejtohet nga Edi Paloka i PD-së është shtyrë disa herë nga Kuvendi, por që akoma nuk është mbledhur me nisjen e sesionit të ri kuvendor.
Reagimi i opozitës
Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Edi Paloka deklaroi se dorëzimi i gjoja provave të reja nga Saimir Tahiri është pjesë e skenarit të Edi Ramës për të përgatitur opinionin publik për mbylljen e çështjes së Saimir Tahirit.
Duke nxjerrë në video një pjesë të debatit në studion e NEËS 24 mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarëve, Paloka theksoi se “kjo është alibia që Edi Rama i dha Saimir Tahirit dhe pas së cilës fshihet presioni që po i bëhët prokurorisë për të mbyllur çështjen. Dorëzimi i gjoja provave të reja nga Saimir Tahiri është pjesë e skenarit të Edi Ramës për të përgatitur opinionin publik për mbylljen e çështjes së Saimir Tahirit. Këtë që ka bërë sot Saimir Tahiri, e ka paralajmëruar Edi Rama më 16 tetor, kur njoftoi se cili do të jëtë fati i dosjes “Tahiri”.
“Është fakt se Saimir Tahiri po hetohet nga Prokuroria shqiptare për krime të kryera në territorin shqiptar. Është fakt së shteti Italian nuk mund të hetojë një shtetas shqiptar që kryen krim në territorin shqiptar. Është fakt që grupi kriminal Habilaj për 4 vjet nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme nga Saimir Tahiri organizoi trafikun ndërkombëtar të drogës me makinën private të ministrit të Brendshëm. Është fakt se pavarësisht denoncimeve të përditshme të Partisë Demokratike për 3 vjet me radhë për trafikun e drogës nga grupi i Habilajve me audin AA 003 GB, Edi Rama dhe Saimir Tahiri mohuan të vërtetën, sulmuan denoncuesit dhe morën në mbrojtje trafikantët e drogës. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë të qartë se, përsa kohë Edi Rama të jetë kryeministër, kryeprokuror dhe kryegjykatës, prokuroria do të vulosë vendimet e marra në zyrën e Edi Ramës”, deklaroi Paloka.
Por numri dy i PD-së lëshoi dhe një paralajmërim ndaj drejtuesve të prokurorisë sa i përket dosjes “Tahiri”.
“Garantojmë Arta Markun, Donika Prelën dhe çdo prokuror që bëhet mburojë e pushtetarëve të lidhur me krimin të organizuar, se dita e drejtësisë do të vijë edhe për ta. Arta Marku dhe Donika Prela nuk do të shpëtojnë dot nga përballja me drejtësinë as Saimir Tahirin, as Fatmir e Agron Xhafën, as Vangjush Dakon, as Taulant Ballën e aq më pak Edi Ramën”, theksoi Paloka.
Debati në emision mes Ramës dhe gazetarëve në 16 tetor 2018.
Erl Murati: A erdhi dosja nga Prokuroria në Parlament, që e votove dhe e rrëzove për arrestimin e ministrit të Brendshëm?
Edi Rama: Po mirë po si shpjegohet që, sot e gjithë ditën tek ajo dosja e famshme e atij procesi që bëhet në Itali dhe nuk bëhet këtu, nuk rezulton asgjë për Ministrin e Brendshëm
Erl Murati: Atë do ta thotë gjykata.
Edi Rama: Po e ka thënë gjykata.
Erl Murati: Po do ta thotë gjykata.
Edi Rama: Po e ka thënë mor në Itali.
Erl Murati: Për kë po flet?
Edi Rama: Për atë mo për atë dosjen që thua ti, dosjen që e rrëzuam ne.
Erl Murati: Cilën pra?
Edi Rama: Për atë dosjen e Saimir Tahirit po them. Si shpjegohet?
Erl Murati: Vazhdon pra, janë shtyrë hetimet e Prokurorisë këtu në Tiranë.
Edi Rama: Ore po flas për Italinë unë, lëre në Tiranë. Në Itali!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.