Lajme

Tahiri sërish në Gjykatë, avokati: Do kërkojmë pushimin e çështjes

Një javë pasi u zyrtarizua si i pandehur, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është paraqitur sërish sot në ambientet e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, ku pritet të jepet vendimi për të. Ai shoqërohej nga avokati i tij, Maks Haxhia.
Menjëherë pas daljes nga Gjykata, avokati ka deklaruar se do të kërkojnë pushimin e çështjes, pasi Prokuroria nuk ka prova. Ai deklaroi se për akuzat ndaj Tahirit nuk ka asnjë bazë.
“Ne kemi marrë fashikujt nga organi i Prokurorisë, të cilat do të vlerësohen nga gjykata për të vendosur nëse do të shkojmë në gjyq. Nuk ka asnjë bazë për këto akuza. Kërkesa nuk është e bazuar ligjërisht. Ne do të kërkojmë pushimin e çështjes. Ne mohojmë çdo gjë. Mënyra se si janë servirur aktet që ngrenë akuza është e paligjshme jo vetëm për arsyen që kanë dalë, por edhe për formën si janë deformuar”, deklaroi Haxhia.
Mësohet se Prokuroria ka apeluar për kufizimin e afateve të hetimit për Tahirin deri në datën 10 mars, që vendosi Gjykata e Krimeve të Rënda.
Më 28 shkurt, Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Ish-ministri Tahiri, pasi u njoh me akuzat tha se kjo pritej duke e cilësuar nj proces të turpshëm, politik e të komanduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë