Politike

Tabaku vlerëson tërheqjen e njeriut të Berishës: Në Kukës duhet një kandidat!

Gazeta Si - Tërheqja e Admir Sinamatit nga kandidimi në Kukës është përshendetur nga deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Në një status në rrjetet sociale, Tabaku vlerëson dhe thirrjen e tij që në Kukës më 24 shtator të dilet me një kandidat të përbashkët nga opozita.

"Zgjedhjet e 14 majit dëshmuan qartazi që ndarja dhe lufta e pakutimtë brenda vetes duke mos u fokusuar tek fitorja qe një armë më shumë në duart e qeverisë. Partia Demokratike ka detyrë të shkojë në zgjedhjet e parakohshme në Kukës me një kandidat dinjitoz, me integritet të përbashkët për të gjithë opozitën. Përgjegjësia përpara shqiptarëve është shumë herë më e madhe se sa egoja e kujtdo. Gabimet e të djeshmes ku e njëjta ego ndëshkoi demokratët dhe shqiptarët me një humbje të pamerituar duke pasur parasysh situatën në vend", shkruan Tabaku në rrjetet sociale.

Sipas saj, bashkëpunimi është hapi parë drejt reflektimit dhe realisht një ndryshimi që duhet ti hapë rrugë politikës në shërbim të qytetarit dhe jo politikës për interes personal.

Doktor Sinamati kandidoi në emër të koalicionit Bashkë Fitojmë më 14 maj, që udhëhiqej nga Berisha e Meta. Ai humbi përballë socialistit Safet Gjicit. Në një status në rrjetet sociale ai shkruan se ka pasur oferta për të rikandiduar sërish, duke dhënë sinjale se veç bazës mund të jetë kërkuar dhe nga vetë Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë