Politike

Tabaku, thirrje për më shumë padi në Kushtetuese: Ligji për taksimin e profesioneve të lira është abuziv

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka risjellë në vëmendje ligjin e taksimit për profesionet e lira.

Deputetja Tabaku ka denoncuar prej disa kohësh që ky projektligj është pjesë e një sistemi korruptiv dhe abuziv të taksimit që po vret konkurrencën dhe po i vendos shtresës së mesme barrën fiskale.

“Vitin e kaluar qeveria shqiptare miratoi një ligj i cili i tatonte pothuajse 30.000 profesionistë të lirë me një shumë totale thuajse 30 milionë euro. Ky ligj është abuziv sepse taton këtë lloj biznesi më shumë se të gjithë bizneset e tjera, këtë lloj sipërmarrje më shumë se sipërmarrjet e tjera” u shpreh Tabaku ndërsa i ftoi shoqatat e tjera të juristëve, farmacistëve por edhe koduesit dhe zhvilluesit të softëare që t’i bashkohen padisë në Gjykatën Kushtetuese duke ofruar më shumë argumente dhe duke zgjeruar më shumë numrin e të prekurve.

Sipas të dhënave janë 30 mijë biznese të profesioneve të lira që do të taksohen deri në 23% nga ana e qeverisë nga 1 prilli 2024. Qeveria pretendon se do të grumbullojë 30 mln euro ekstra në buxhetin e shtetit, një shumë që për deputeten demokrate është një barrë e rëndë për këtë fashë ndërsa në buxhet nuk do të ndryshojë ndonjë gjë të madhe.

“Kërkesës së grupit parlamentar të PD në Gjykatën Kushtetuese, kundër ligjit anti-kushtetues dhe abuziv të tatimit të profesioneve të lira i është bashkuar njëkohësisht dhe Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar. Unë përfitoj nga rasti ti bëj thirrje të gjithë organizatave të profesionistëve të lirë, duke nisur nga noterët, juristët, farmacistët, teknologjia e informacionit e cdo sektor që preket nga ky ligj abuziv t’i bashkohet kësaj padie në GJK që zëri të jetë më i fortë dhe argumentet të jenë më të shumta e më të qarta. Vitin e kaluar qeveria shqiptare miratoi një ligj i cili i tatonte pothuajse 30.000 profesionistë të lirë me një shumë totale thuajse 30 milionë euro. Ky ligj është abuziv sepse taton këtë lloj biznesi më shumë se të gjithë bizneset e tjera, këtë lloj sipërmarrje më shumë se sipërmarrjet e tjera. Por, nga ana tjetër, vret dhe shpirtin sipërmarrës, vret iniciativën e lirë por vret dhe këtë shtresën e mesme që fatkeqësisht është duke u larguar. Duhet të bëjmë cdo gjë për ta ndaluar këtë mënyrë taksimi dhe duhet të bëjmë cdo gjë për të mbështetur të rinjtë dhe profesionistët e lirë” u shpreh Tabaku


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë