Politike

Tabaku: Si do të menaxhohet zbulimi i pritshëm në Shpirag?

Nga Gazeta 'SI' - Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka cilësuar si lajm shpresëdhënës mundësinë e zbulimit të një rezerve nafte në zonën e Shpiragut, duke e cilësuar si një oportunitet që prej dekadash a më shumë mban shpresat e Shqipërisë varur, sidomos duke pasur parasysh mundësitë dhe përfitimet ekonomike për vendin.

"Lajm të cilin vit pas viti e kemi festuar e gëzuar po aq sa dhe hapja e negociatave, po përtej ironisë e gëzimit besoj do jetë një mundësi e mirë dhe për të parë se si mund të kemi një model ndryshe të menaxhimit të burimeve natyrore e pasurive kombëtare. Duke pasur parasysh se si është keqmenaxhuar, vjedhur dhe zaptuar pasuria e një prej burimeve më të mëdha të Europës Kontinentale në Patoz Marinzë, secili ka të drejtë të pyesë se si do menaxhohet zbulimi i pritshëm?", shkruan Tabaku në rrjetet sociale.

Sipas saj, Shqipëria me pasuri të shumëllojshme nuk ka pasur asnjë përfitim në kuptimin material dhe mbi të gjitha ekonomik.

"Premtime ka pasur pa fund! Zotime politike padyshim pafund! Por realiteti gjithnjë ka ceduar e asnjë përfitim nga porte e aeroporte të përqendruara në pak duar, as nga karburanti e minerale. Prandaj shpresojmë që renta të mos ketë fatin e kromit që është përjashtuar e shfrytëzimi i asaj pasurie kombëtare nuk sjell asgjë as në buxhetin e shtetit as atë lokal. Nuk ka nevojë për ligjërime me patos e pasion për Shqipërinë, po kushdo që ka privilegjin e vendimmarrjes ta tregojë me shembuj dashurinë për vendin", thekson deputetja demokrate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë