Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku akuzon mazhorancën se përmes propagandës dhe sulmeve ndaj opozitës po mundohet që të fshehë skandalet që ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë përmes tenderave korruptivë dhe kriminalë.
“Episodet humoristike të qeverisë Rama nuk lidhen vetëm me mënyrën se paraqitjes së kryeministrit në takimet zyrtare apo konferencat. Ato shpesh zbresin edhe në zyrat e kryeministrisë ku anëtarë të qeverisë për të mbuluar koncesionet abuzive dhe kriminale (si fjala vjen PPP Milot_Balldren, Orikum-Porti jahteve apo Thumanë-Kashar) ngrenë gishtin akuzues ndaj atyre që i akuzojnë. Një situatë e tillë qesharake vjen pasi qeveria Rama ka 6 vjet në qeverisje, ka marrë në dorë Prokurorinë e Pergjithshme përmes shpikjes PPP Marku, Prokurorinë e Krimeve të Renda dhe çdo institucion tjetër hetues në vend. Me gjithë këtë pushtet në dorë, me të gjitha mundësitë për të hetuar këdo nga qeveritë e shkuara, qeveria Rama zgjedh prapë gënjeshtrën propagandistike”, thotë Tabaku.
Tabaku e vlerëson ironike këto sulme dhe akuzon Kryeministrin Edi Rama se ka kapur drejtësinë.
“Në vend që të hetohen ata që e ndanë Shqipërinë me traun 5 eurosh për interesa meskinë, ftohen të linçohen me akuza të dala boje ata që e bashkuan Shqiptarine. Heshtet për qeverinë dhe ministrat që kanë dhënë 2,2 mld lekë PPP për rrugë e shërbime që ende nuk kanë përfunduar dhe që i është fryrë kosto mbi dhjetë herë, ndërkohë që nuk janë dëgjuar të flasin kundër kontratave abuzive koncesionare të rrugës Milot-Balldren me vlerë 296 mln euro dhe PPP-në e rrugës Porti Jahteve-Orikum me vlerë 70 mln euro”, vijon ajo.
Në fund, ish-deputetja e PD-së thotë se kostoja e përllogaritur nga Bashkimi Europian për një kilometër rrugë në autostradën Adriatiko-Joniane, pjesë e të cilës është edhe aksi Milot-Balldre, është 1.2 milionë euro.
“Ndërsa BE ka përllogaritur koston e 1 km rrugë në Autostradën Adriatiko-Joniane që të ketë vlerën 1.2 mln euro, qeveria shqiptare për rrugë shumë herë me kushte gjeoteknike më të lehta ka vlerësuar në kontratat kriminale koston e 1 km rrugë me një vlerë 16 mln euro. Propaganda në këto kushte, tregon dëshpërimin që ka zënë mazhorancën dhe qeverinë”, mbyll reagimin e saj Jorida Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.