Politike

Tabaku: Inflacioni në Shqipëri po bën namet, ekonomia në krizë.  

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se shqiptarët po preken gjithnjë e më shumë nga inflacioni pavarësisht pretendimit të qeverisë.

“Shifrat dëshmojnë se inflacioni socialist ka rritur çmimet e produkteve dhe ka varfëruar më shumë shqiptarët.

Sipas të dhënave një familje shqiptare shpenzon në vit 761 euro për fruta dhe perime, duke u renditur në vendin e dytë dhe duke lënë përpara Zvicrën që ka të ardhurat për frymë 91 mijë dollarë/capita.

Familjet shqiptare shpenzojnë 42% të të ardhurave të tyre për të blerë fruta dhe perime të konsumit të përditshëm. Mesatarja e Bashkimit Euorpian është ajo e 13% në konsumin e shportës bazike.

Përse ekonomia është në krizë?

Bujqësia është në falimentim e sipër ndërsa qeveria nuk ka asnjë politikë pro-bujqësisë dhe blegtorisë. Punimi i tokës ka rënë, rritja e bujqësisë në rritjen e përgjithshme ekonomike është në rënie ndërkohë që politikat kryesore ekonomike të qeverisë janë për betonim dhe jo prodhim.

Në kushte të tilla tregu i brendshëm po shkatërrohet, ekonomia e familjeve shqiptare po varfërohet kurse politika ekonomike dhe fiskale e qeverisë punon në të kundërt”, shkruan ajo në Facebook.

Por si mund të dilet nga kriza? “Duke shëruar ekonominë nga kapja e tregut, ligjet që bëhen për interesa të një pakice dhe një politikë fiskale për qytetarët. Duhet veç pak; vendosja e njerëzve në qendër; jo e pakicës por shumicës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë