Politike

Tabaku: Fondet e AZHBR-së, si skemë piramidale

Në fillim të fjalës së saj para se të kishte më vonë një replikë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se pezullimi nga ana e BE-së i fondeve për bujqësinë ishte një shqetësim që ajo e kish ngritur që në muajin dhjetor  

“Në seancën e fundit të dhjetorit kam ngritur shqetësimin për përdorimin dhe thithjen e fondeve të IPARD-it nga Ministria e Bujqësisë, ku pata një debat me ministren. Strukturat e qeverisë shqiptare kanë nisur një proces akredimi që në vitin 2010. Ishin gati në vitin 2013, por vetëm në vitin 2018 u certifikuan për të bërë këtë pagesë dhe për të vazhduar të pavarur.

Ajo çfarë ka ndodhur dje, është një damkë turpi mbi institucionin e AZHBR-së që nuk e heq asgjë dhe ka cënuar rëndë imazhin. Nuk e di sesa është pagesa për të cilën qeveria shqiptare po akuzohet, por do të ishte në nderin e ministres dhe të qeverisë që të ofronin transparencë se si është krijuar skema piramidale me disa kompani të përfshira me një hetim që ka 4 vite që ecën përpara dhe të paktën 2 vite që mblidhen prova dhe qeveria shqiptare nuk paska pasur asnjë informacion.

Është cënuar imazhi i shtetit shqiptar, i çdo punonjësi që ka qënë i përfshirë në këtë proces. Relativizimi dhe fakti që thuhet që paska ndodhur dhe në Francë, nuk ndihmon askënd. Qytetarët shqiptar presin informacion se çfarë ka ndodhur me fondet e AZHBR-së, sesi është lejuar skema piramidale me dijeni të plotë dhe pse ka munguar transparenca”, tha Tabaku. Më pas gjatë një replike me Krifcën, Tabaku pyeti nëse është e vërtetë që ka pasur fryrje të fondeve nga 30-50% nga ana e AZHBR, por nuk mori përgjigje  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë