Politike

Tabaku: 2021, buxheti i koncesioneve me 120 mln euro

Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku deklaroi përmes një konference për shtyp se, “projekt-buxheti i vitit 2021 është kundër interesit publik, në shërbim të oligarkëve dhe klientelës së tij”.

“Prioritet madhor për qeverinë janë pagesat për koncesionet që vjedhin shqiptarët dhe çojnë taksat e tyre në parajsat fiskale.

Ky është buxheti i mafias së plehrave, që do të vazhdojë të paguhet qindra milionë lekë për inceneratorë që nuk ekzistojnë.

Buxheti nuk ofron as më shumë investime në infrastrukturë, as më shumë buxhet në arsim, as më shumë investime në arsim dhe as më shumë investime në bujqësi.

Ky është një buxhet mashtrimi që synon që të fshehë gjendjen e mjerueshme reale në të cilën ndodhen financat publike”, tha Tabaku.

Më tej ajo shtoi: “Ky buxhet, me buxhetin e koncesioneve i cili këtë vit shkon në shifrën e paprecedentë të 120 mln euro, ashtu siç shfaqet edhe në tabelën në ekranin pas meje, është dëmi më i madh që i bëhet ekonomisë shqiptare nga njëra anë por nga ana tjetër tregon edhe politikën e tij që edhe në ikje nuk ndryshon, fatura koncesionesh dhe PPP të fryra me vetëm një qëllim, për t’i dhënë para klientëve në oborrin e tij dhe oligarkëve”.

“Qeveria” , vijoi ajo, “që pretendon se do të rindërtojë vendin deri më tani ka dështuar që të mbajë fjalët e saj me buxhetin 2020 dhe me procesin e rindërtimit”.

“Por e vërteta është se mbi 40% e prodhimit kombëtar janë kostot totale të PPP-ve që qeveria aktuale ka dhënë deri më sot.

Ndërkohë që përveç koncesioneve që shfaqen në tabelën që në këtë moment është në ekran, ka edhe 7 koncesione të tjera të cilat rifillojnë vitin e ardhshëm duke filluar me tunelin imagjinar të Llogorasë, duke vazhduar me koncesionin e Milot-Fier. Koncesione të cilat e dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe në një vit të vështirë, të goditur nga tërmeti por njëkohësisht edhe nga pandemia tregojnë se cili është interesi prioritar i Ramës, sigurisht jo qytetarët, sigurisht jo shqiptarët”.

Zgjidhja sipas saj është vetëm ardhja në pushtet e PD-së.

“Më 25 prill Shqipëria do të votojë për të punuar dhe jo për t’u ridhënë me koncesion. Jemi me fat se të paktën ky është buxheti i fundit i Edi Ramës”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë