Muzike

“System of a Down” kap armët kundër Azerbajxhanit dhe Turqisë

U kanë kënduar fenomeneve dhe padrejtësive shoqërore sipas modelit të tyre prej vitit 1994 kur u themeluan. Por në 15 vitet e fundit ranë në qetësi. U desh konflikti me Azerbajxhanin që “System of a Down” të kapte edhe njëherë “armët” për të dalë në mbrojtje të atdhehut.

“Armët” e bandës muzikore armeno-amerikane janë kitara, mikrofoni dhe basi. Grupi është mbledhur për të regjistruar dy këngë që synojnë të ndërkombëtarizojnë konfliktin në Nagorno-Karabakh dhe “spastrimin e armenëve” në këtë rajon. Kënga e parë titullohet “Protect the Land” dhe “Genocidal Humanoidz”.

“Këngët publikohen për të tërhequr vëmendjen e krimeve të luftës që po kryhen mbi kulturën dhe atdheun tonë në Artsakh dhe Armeni nga Azerbajxhani dhe Turqia”, thuhet në një deklaratë të bandës.

Banda fton fansat që të lexojnë dhe mësojnë më shumë rreth konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

“Jemi krenarë që të shpërndajmë me ju këto këngë dhe shpresojmë t’i dëgjoni. Ju inkurajojmë të lexoni më shumë dhe shpresojmë që të frymëzoheni mbi padrejtësitë e tmerrshme dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që po ndodhin atje tani”, vijon deklarata e bandës.

Grupi kërkon nga ndjekësit që të ndihmojnë duke dhuruar para për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga lufta.

Këngëtari i bandës, Serj Tankian thotë se konflikti është një betejë “jetë a vdekje” për të gjithë armenët.

“Ne këtu tek System e kuptojmë se kjo është një betejë ekzistenciale për njerëzit tanë, ndaj është shumë personale për ne. Ajo që na nevojitet tani është që të lëmë politikën menjanë dhe të ndihmojmë Armeninë duke sanksionuar Turqinë dhe Azerbajxhanin që të njohin Artsakh”, thotë ai.

Këngët janë në shitje të dyqanet online, përfshirë Bandcamp dhe Amazon. Banda thotë se të ardhurat e grumbulluara nga blerja e këtyre dy këngëve do të shkojnë të gjitha për armenët e përfshirë në konfliktin e Nagorno-Karabakh.

Këto janë këngët e para të grupit muzikor që prej vitit 2005, kur publikonin dy albumet “Mesmerize” dhe “Hypnotize”.

“System of a Down” përbëhet nga katër anëtarë armeno-amerikanë. Banda është themeluar në vitin 1994 në Glendale të Kalifornisë dhe aktualisht përbëhet nga anëtarët themelues Serj Tankian, Daron Malakian dhe Shavo Odadjian. Pjesë e bandës prej 1997, kur është basisti John Dolmayan, që zëvendësoi Andy Khachaturian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë