Kosova

Sveçla: Zv/drejtori i Policisë së Kosovës Jankoviç është dërguar në paraburgim për prishje të rendit kushtetues të Serbisë

Nga Gazeta 'Si' - Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në bazë të informacioneve që kanë autoritetet, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, është dërguar në paraburgim prej 48 orësh nga autoritetet serbe.

Jankoviç, që u ndalua më 17 prill në pikëkalimin kufitar të Jarinjës - që lidh Kosovën dhe Serbinë - sipas Sveçlës, po akuzohet për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

Gjatë një konference për media, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Sveçla tha se një ditë më parë “së paku 1.498 qytetarë janë ndaluar, keqtrajtuar, e disa arrestuar e marrë në pyetje lidhur me të kaluarën e tyre, lidhjet e tyre me UÇK-në, pjesëmarrjen e tyre në UÇK apo të familjarëve të tyre si dhe vendndodhjes apo veprimtarisë së tyre më 1998-99”.

Sveçla bëri thirrje për lirimin e Jankoviçit, por edhe të qytetarë të tjerë, “pasi që sipas informacione të tjera, ka edhe qytetarë që po mbahen të arrestuar”.

Ministri i Brendshëm tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është duke u interesuar për shëndetin e Jankoviçit dhe që t'i ofrohet mbrojtja e duhur ligjore.

Gjatë konferencës, Kurti u pyet të komentojë reagimin e Bashkimit Evropian, që një ditë më herët tha se Serbia, me bllokimin e kosovarëve në kufi, po shkel Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

"Mungesa e sanksioneve ndaj Serbisë e ka trimëruar atë, dhe unë uroj që ky trimërim i agresivitetit të Serbisë që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme, të brendshme të saj, që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqesë një etapë të re, në të cilët do të kuptohet se Kosova është shteti demokratik, Kosova është në të drejtën, që respekton lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Ndërkaq, Serbia praktikisht është shtet mafioz”, tha Kurti.

Ndërkaq, më herët gjatë 18 prillit Kurti tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë, Jankoviç.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

"Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi", tha Kurti, duke iu referuar Jankoviqit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë