Kosova

Arrestimi i zv/drejtorit të Policisë së Kosovës, Hovenier: Serbia të lirojë menjëherë Jankoviçin

Nga Gazeta 'Si' - Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, kërkoi që autoritetet serbe të lirojnë zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, i cili u ndalua një ditë më parë në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.

Pas takimit të rregullt me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Hovenier tha për mediat se me të parën e shtetit folën edhe për ngjarjet e 17 prillit, kur, sipas autoriteteve në Kosovë u ndaluan mbi 1.400 persona nga Serbia, teksa po kalonin transit nëpër Serbi.

Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë. Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Jankoviçit, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

“Ne jemi të shqetësuar sepse atë e njohim tash e disa vjet për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre. Ai ka pasur rol të rëndësishëm në sigurimin e ndjeshmërisë që lidhen me komunitetin serb adresohen nga Policia e Kosovës”, tha Hovenier.

“Për shembull, ai ka luajtur rol edhe në mbikëqyrjen e njësisë që ofron mbrojtje për monumentet e trashëgimisë kulturore, përfshirë edhe manastiret ortodokse serbe, në një mënyrë të fuqishme, kuptimplote dhe efektive. Ne jemi shumë të shqetësuar dhe shpresojmë që ai të lirohet”, shtoi diplomati amerikan.

Thirrje për lirimin e Jankoviçit dhe ulje të tensioneve bëri edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duke e cilësuar të “papranueshëm” ndalimin e zyrtarit policor.

Kosova ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fundit ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ka shkelur marrëveshjet e arritura në dialog, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë