Kosova

Osmani: Pesë policë të Kosovës po mbahen peng nga Serbia

Nga Gazeta 'Si'- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”.

Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Policisë së Kosovës, Osmani i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë për këtë çështje.

“U bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë. Por, jam e bindur që betimi i sotëm, dhe të gjithë këta kadetë dhe ky grup multietnik është përgjigja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla”, tha Osmani.

“Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia”, shtoi ajo.

Osmani tha se “kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona ndaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të jetë anëtare fuqiplotë e INTERPOL-it dhe e EUROPOL-it”.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) tha të mërkurën vonë se një zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës dhe katër zyrtarë të tjerë policorë janë duke u mbajtur nga autoritetet serbe.

Ministria tha se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviç, është duke u mbajtur pa asnjë sqarim. Jankoviç - i cili vjen nga komuna e Shtërpcës - u ndalua në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe u dërgua për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

MPB tha se fillimisht ishin ndaluar dhjetë zyrtarë policorë - shqiptarë dhe serbë - por, pesë prej tyre ishin liruar.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, përsëriti se ende nuk ka ndonjë arsyetim nga Serbia se pse pesë zyrtarët policorë po mbahen në Rashkë.

Ai tha se ky është një akt i paprecedent i Serbisë, “mes shumë veprimesh e sulmesh drejtuar Policisë së Kosovës”.

“Ky është një sulm i drejtpërdrejt i Serbisë ndaj pjesëtarëve të vet komunitetit serb brenda Policisë së Kosovës, të cilët gjejnë vullnetin dhe guximin të bashkohen në rrugën e përbashkët që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet për vendin tonë”, tha Sveçla më 18 prill në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 59 të kadetëve të Policisë së Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë