Policia e Shtetit hodhi poshtë lajmet në disa media se familja e Bashës mbahet nën survejim, duke e konsideruar spekulim mediatik për qëllime të mbrapshta dhe qëllim keqinformimin publik.
Policia e Shtetit në një njoftim në faqen zyrtare, shprehet se lidhur me shkrimin e botuar në gazetën “Panorama”, të datës 1 qershor 2018, me titull “Hije skandali, Policia mban në survejim familjen Basha”, sqarojmë se: “Nuk është aspak e vërtetë që familja e Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore”.
Policia e Shtetit e konsideron spekulim mediatik me qëllim keqinformimin e opinionit publik. “Përmbajtja e shkrimit është tërësisht një spekulim mediatik me synim mashtrimin dhe keqinformimin e opinionit publik për qëllime që i gjykojmë të mbrapshta. Me keqardhje konstatojmë se lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga redaksi serioze”, deklaron Policia e Shtetit.
Po ashtu, Policia e Shtetit sqaron se: “Informimi i publikut rreth veprimtarisë së institucioneve të shtetit është një e drejtë e garantuar me ligj, prandaj nëse dikush do të kishte interes rreth së vërtetës, do ta merrte informacionin lehtësisht në rrugë zyrtare. Fakti që asnjë nga institucionet e përmendura nuk është kontaktuar nga media në fjalë, na krijon dyshimin se në këtë rast kemi të bëjmë me keqpërdorim flagrant të një gazete nga ana e politikës. Me këtë rast theksojmë se lideri i opozitës Lulzim Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës”.
“Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit”, thekson më tej Policia në deklaratën e saj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.