Kishte ditë që Partia Demokratike përcillte një qëndrim thuajse formal se në do qarqe, demokratët e bazës po votonin në bllok listat që u ishin servirur nga komisioni “Ruli”, deri sa u mbajtën zgjedhjet për listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Korçës, aty ku gjithnjë baza ka nxjerrë rivalitete.
Burime për gazetën “Si” thonë se votimi ka rezultuar surprizë për disa degë të PD-së në këtë qark.
Dega e Pogradecit ka qenë me rigorozja duke përjashtuar nga lista ish-kryetarin e Bashkisë, Eduart Kaprin (170 vota kontestuese) dhe ish-deputetin Klevis Balliu (370 vota kundër).
Që do të thotë një votë pakënaqësie për punën e Kaprit në krye të Bashkisë, dhe një tjetër votë kundër për kandidatin Klevis Balliu, i cili edhe pse nga Mokra e Pogradecit, nuk e përqafua asnjëherë “me dëshirë” nga demokratët e kësaj dege.
Por votimet surprizë nuk mbarojnë me këto dy emra.
Në degën e Korçës është kontestuar gjithashtu emri i analistit Dritan Shano, (me 265 vota) i futur për herë të parë në listën e kësaj dege, por ka mundur të kapërcejë kuorumin kontestues (20 %) vetëm për pak vota.
E njëjta gjë edhe për Andrea Manon, kryetarin e PD-së, dega Korçë, edhe ai i kontestuar në masë por ka mundur të futet në listën fituese.
Një sinjal i qartë nga baza për një kryetar dege që ka humbur ndjeshëm në rezultat për PD-në disa palë zgjedhje.
Votë kontestuese ka marrë konsiderueshëm edhe Hekuran Hoxhalli ish-deputet i Devollit dhe ish-kryetar i kësaj dege, kryesisht si pasojë e klaneve brenda kësaj dege.
Kandidati më pak i kontestuar për gjithë qarkun mësohet se është ish-deputeti Ervin Salianji, (vetëm 22 vota kundër), garues në listën për degën e Maliqit, duke rezultuar njëkohësisht edhe kandidati i parë në listën e mbështetësve nga demokratët për kandidaturat e këtij qarku
Numri i lejuar i kandidatëve që mund të kontestohen, përcaktohet në fletën e votimit dhe është jo më shumë se 20% e numrit total të listës së kandidatëve, për secilën degë apo qark. Kandidati që ka më shumë se 20% “votë kontestuese” në raport me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të partisë në atë degë apo qark, hiqet nga lista e kandidatëve të konfirmuar dhe përfshihet në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi në një fazë tjetër
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje