Futboll

Surpriza/ De Rosi kthehet në Itali si trajner, do drejtojë Fiorentinën

Daniele De Rosi është shumë pranë rikthimit në Itali. Ai i dha lamtumirën futbollit të luajtur, pas eksperiencës me Boka Zhuniors në Argjentinë dhe tani është gati të nisë karrierën si trajner. Një karrierë që mund të nisë me një surprizë. Sipas “Sky Sport”, Fiorentina ka zgjedhur ish-kapitenin e Romës si trajner për sezonin e ri.

Fati i Iakinit në stolin e Fiorentinës duket se është shkruar dhe për të ringritur skuadrën pas një sezoni zhgënjyes, Roko Komiso ka vendosur t’ia besojë drejtimin e Fiorentinës De Rosit. Ish-mesfushori kthehet kështu në Serinë A, tani me xhaketë dhe kravatë. Kontaktet mes De Rosit dhe klubit nga Firence kanë qenë mjaft pozitive. Për momentin De Rosi nuk ka licencën e trajnerit dhe nuk mund të nisë punën, por drejtuesit e Fiorentinës kanë menduar edhe për këtë pjesë. Licenca mund të merret më shpejt, duke qenë se bëhet fjalë për një kampion bote.

Ish-kapiteni i Romës, De rosi. Gazeta Si, 4 korrik 2020

"Do ta nis këtë rrugëtim jo vetëm sepse më pëlqen, por edhe sepse jam i bindur se di ta bëj. Gjithmonë kam pasur rolin e liderit dhe ndoshta do ta kem avantazh nga kjo pikëpamje kur të jem trajner”, - ka thënë më parë De Rosi, kur është pyetur për të ardhmen, duke pranuar se ka si objektiv stolin e Romës: "Të ulem një ditë në stolin e Romës do të më pëlqente, por nuk dua të nxitohem. Së pari duhet të bëhem trajner dhe të nis një rrugëtim të gjatë rritjeje, për të cilin të gjithë kanë nevojë".

Këtë herë presidenti i Fiorentinës duket se ia ka arritur qëllimit. Më parë ai tentoi ta bindte De Rosin të luante për fanellën vjollcë, para se ish-mesfushori të shkonte në Argjentinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë