Rend dhe Ligj

Superoperacioni, në pranga “i forti” i Shkodrës e 10 të tjerë

Operacioni i bujshëm i Policisë së Shtetit mbrëmjen e së premtes në disa qytete të Shqipërisë ka sjellë arrestimin e disa personave që dyshohen si të përfshirë në aktivitete kriminale. Mes të arrestuarve figuron edhe emri i Safet Bajrit, që më herët është cilësuar nga opozita si një nga eksponentët më të rrezikshëm të organizatave kriminale që veprojnë në veri të vendit. Operacioni ka filluar që prej mesditës së të premtes dhe ka vijuar gjithë mbrëmjen e deri në orët e para të ditë së shtunë.

Mësohet se arrestime të bujshme të personave të përfshirë në aktivitete kriminale ka pasur në qytetin e Shkodrës dhe në kryeqytet. Në Tiranë në pranga ka rënë Safet Bajri (Rustem), i cili në momentin e arrestimit ka qenë në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Mësohet se në momentin e vënies në pranga nga efektivet e policisë Bajri ka qenë i armatosur. Gjithashtu në momentin e arrestimit të Bajrit janë gjetur edhe lëndë narkotike dhe në pranga ka rënë edhe disa bashkëpunëtorë të tij.

Në deklaratën për shtyp, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i shoqëruar edhe nga drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, ka publikuar emrat e 11 të arrestuarve të këtij operacioni, një pjesë e tyre janë ndaluar në vendin tonë dhe një pjesë tjetër në Holandë.

Të gjitha arrestimet janë kryer me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe në pranga janë vënë këta persona:

1. Behar Brajoviq (Bajri) arrestuar në Roterdam, Holandë;

2. Samet Halluni, i arrestuar në Roterdam, Holandë;

3. Ilir Rustemi, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

4. Emrah Plaku, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

5. Astmer Bilali, i arrestuar në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër;

6. Armir Grimaj, arrestuar në Shkodër;

7. Safet Rustemi (Bajri), i arrestuar në Tiranë;

8. Fabiol Rexhepi, i arrestuar në Shkodër;

9. Ismet Idrizi, i arrestuar në Shkodër;

10. Denis Brajoviq, i arrestuar në Tiranë;

11. Klaudio Hoxhalliu, i arrestuar në Tiranë.

Kush është grupi kriminal “Bajri”

Nga Opozita prej disa javësh ai ka qenë në qendër të akuzave si një prej njerëzve që drejton krimin e organizuar në qytetin e Shkodrës dhe në të gjithë rajonin e veriut të vendit. Ndryshe ai është cilësuar edhe si “i forti i Shkodrës” dhe është një njerëzit më të kërkuar në Belgjikë. Mediet atje shkruajnë për Bajrin, se është një krerët e bandave që trafikojnë lëndët narkotike në Belgjikë. Sipas medieve belge, Bajri komandonte bandën e cila përveç se shpërndante drogë në të gjithë vendin, gjithashtu ishte shumë e dhunshme. Ai pritet që gjatë ditës së shtunë të dalë para togave të zeza për të mësuar masën e sigurisë.

Në daljen e tij para medieve, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliaj ka thënë se operacioni për vënien në pranga të kësaj bande ka zgjatur për më shumë se 6 muaj. Më tej Veliaj ka specifikuar se përgjatë kësaj periudhe të gjithë personat e dyshuar janë mbajtur në vëzhgim me metoda speciale si dhe përdorimin e dronëve.

Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë", në bashkëpunim, "Vrasje me dashje", e kryer në bashkëpunim, "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", "Organizim i lotarive të palejuara", "Pastrim i produkteve të veprës penale" të kryer në bashkëpunim, "Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë", kryer në bashkëpunim, "Përkrahje e autorit të krimit", 'Moskallëzim krimi", "Prodhim e shitje e lëndëve narkotike", vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Por përveç këtyre veprave kriminale, ky grup akuzohet edhe për dy vepra të rënda kriminale. Të dokumentuar deri tani janë 2 vrasje të ndodhura në qytetin e Shkodrës, në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarje e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe.

Operacioni policor për arrestimin e këtij grupi kriminal është zhvilluar njëkohësisht në Tiranë, Shkodër dhe në Roterdam të Holandës dhe zgjati nga mesdita e së premtes dhe deri në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë.

Arrestime të bujshme pas kaosit me çështjen “Shullazi”

Ky operacion i bujshëm i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vjen vetëm një ditë më vonë pas kaosit që ndodhi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda më çështjen e Emiljano Shullazit. Çështjen e këtij të fundit e refuzuan të marrin të gjithë prokurorët e Krimeve të Rënda. Prokurori i çështjes “Shullazi”, Eneid Nakuçi u largua nga drejtimi i hetimeve për këtë dosje, duke kërkuar 6 muaj leje. Më pas drejtuesja e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela u detyrua të hidhte sërish shortin për prokurorin që do të bënte pretencën për Emiljano Shullazin. Por në këtë short refuzuan të marrin pjesë të gjithë prokurorët e Krimeve të Rënda, duke u futur këtë institucion në ngërç.

Për këtë operacion të bujshëm të Policisë Shqiptare në bashkëpunim me atë të Holandës dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka reaguar edhe përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Soreca mirëpret këtë operacion shumë të rëndësishëm dhe thekson se lufta ndaj krimit të organizuar mbetet një prioritet i Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE.

“Mirëpresim operacionin e të përbashkët të policivë në Shqipëri dhe Holandë. Bashkëpunim i frytshëm i task forcave shqiptare në bashkëpunim me atë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit mbetet një prioritet.”- shkruan Luigi Soreca.

https://twitter.com/LSorecaEU/status/1043459061767987206

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë