Futboll

Superliga, luftë për Europën dhe për mbijetesë

Sot në Kategorinë Superiore Tirana do të kërkojë të shfrytëzojë në maksimum rezultatet e djeshme, teksa një fitore ndaj Apolonisë do të bënte që kampionët në fuqi të ishin vetëm pesë pikë larg kreut.

Fierakët humbën përballjen direkte me Skënderbeun dhe aktualisht janë 8 pikë larg zonës Play Out, ndërsa përballë do të gjejnë një Tiranë në formë mjaft të mirë, që është rikthyer plotësisht në garë për një vend në Europë. Për më tepër, nëse bardheblutë do të arrijnë të marrin tre pikët ndaj Apolonisë, atëherë mund të shpresojnë sërish për mbrojtjen e titullit kampion, pasi do të reduktonin në vetëm 5 pikë distancën nga kreu.

Ndërkaq, Bylis pret në shtëpi Kastriotin. Ballshiotët janë më të qetë sa i përket klasifikimit duke fituar pikë ndaj dy vendeve të fundit, megjithatë për të shmangur dhe play-out duhet të parakalojnë pikërisht krutanët që në sfidat e fundit kanë lënë pikë të rëndësishme.

Në orën 16:00 vëmendja do të spostohet në “Elbasan Arena”, ku Kukësi do të përballet me Skënderbeun. Ndryshe nga sa ka ndodhur shpesh në vitet e fundit, kur këto skuadra përballeshin për titullin kampion, këtë sezon objektivat kanë ndryshuar tërësisht.

Korçarët vijnë me një këmbë në Kategorinë e parë dhe luajnë ndoshta një nga shanset e fundit për mbijetesë, ndërsa verilindorët e shohin veten shumë larg zonës europiane, që ishte edhe objektivi i vetëm i mbetur këtë sezon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë