Lajme

Superkupa, Partizani dhe Kukësi sot në fushë për trofeun e parë sezonal

Me finalen e Superkupës së Shqipërisë, nis sot zyrtarisht sezoni 2019-2020. Partizani kampion në fuqi dhe Kukësi fitues i Kupës së Shqipërisë, dy ekipet më të konsoliduar të momentit në futbollin shqiptar, zbresin në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:00, natyrisht me qëllimin për ta nisur me trofe, edhe pse për Superkupën nuk ka shpërblim financiar.

Të dy ekipet kanë pësuar ndryshime të shumta gjatë merkatos së verës, ndërkohë që në Kupat e Europës nuk lanë gjurmë, duke u eliminuar që në turet e para. Ndeshja e sotme mund të konsiderohet edhe si një “provë gjenerale” para kampionatit, që nis javën e ardhshme, por një trofe nuk mund të nënvlerësohet asnjëherë dhe ekipit fitues do t’i jepte më shumë moral për sezonin e ri. Trajneri i Partizanit, italiani Franko Lerda, theksoi në konferencë shtypi se skuadra e tij është gati për të bërë të vetin trofeun e parë të sezonit. Të njëjtin mendim ka edhe Shpëtim Duro, ish-trajneri i Partizanit, aktualisht në stolin e Kukësit.

Franko Lerda, trajneri italian i Partizanit. Gazeta "Si", 18 gusht 2019

Ditët e fundit, si Partizani, ashtu edhe Kukësi, kanë bërë jo pak lëvizje. Nga të kuqtë, pas ndryshimeve para Kupave të Europës, ku në ekip erdhën shumë lojtarë të huaj, janë larguar së fundi mbrojtësi Labinot Ibrahimi dhe sulmuesit Kardozo dhe Emanuel Mensah. Partizani bazohet tek boshti i sezonit të shkuar, i përbërë nga lojtarë si kapiteni Hoxha, Belica, Mala, Telushi, Trashi dhe Asani. Largime lojtarësh me përvojë ka pasur edhe nga Kukësi, që sezonin e ri nuk do të ketë më në radhët e tij mbrojtësin Ylli Shameti, ish-kapiten i skuadrës. Po ashtu, ka ikur edhe Cuculi dhe ende nuk është e qartë çfarë do të ndodhë me Valdet Ramën, një nga më të mirët dhe që ka kushtet e veta për të vazhduar me verilindorët.

Shpëtim Duro, trajner i Kukësit. Gazeta Si, 18 gusht 2019

Ndeshja luhet në Elbasan dhe parashikohet që tifozët të jenë të paktë në numër. Drejtuesit e dy klubeve kanë bërë thirrje për mbështetje maksimale, por është periudhë pushimesh dhe nuk pritet ndonjë atmosferë elektrizuese në “Elbasan Arena”, ku luhet trofeu i parë sezonal, një javë para nisjes së një kampionati, që ngre shumë pikëpyetje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë